TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Mars 2026, 20:18

Raport i fortë i KLSH/ IKMT rrumpallë totale, abuzime me tenderët, afera me ndërtimet dhe mbi 1 mld lekë detyrime  

Shkruar nga Pamfleti
Raport i fortë i KLSH/ IKMT rrumpallë totale, abuzime me
Foto ilustruese

Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton shkelje serioze në IKMT gjatë viteve 2020–2024, duke nxjerrë në pah mungesë efektiviteti në kontrollin e ndërtimeve pa leje, probleme në prokurime, paqartësi në procedura dhe moszbatim të vendimeve administrative. Raporti thekson gjithashtu detyrime financiare mbi 1 miliard lekë dhe dështime në menaxhimin institucional...

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash të theksuara në aktivitetin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), sipas raportit të auditimit për periudhën 2020–2024.

Sipas gjetjeve, një nga mangësitë kryesore lidhet me kuadrin ligjor, ku ligji për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nuk përcakton afate konkrete për ekzekutimin e vendimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke lënë si kriter të vetëm zbatimin “e menjëhershëm”, çka në praktikë ka sjellë vonesa dhe moszbatim.

Auditimi konstaton gjithashtu dobësi të theksuara në administrimin e punës së brendshme. Urdhrat e shërbimit për punonjësit nuk kanë të përcaktuar qartë objektin dhe afatet, ndërsa në shumë raste mungojnë programet e detajuara të punës dhe raportet konkrete mbi aktivitetin e kryer, duke e bërë të vështirë vlerësimin e efektivitetit të shërbimeve.

Probleme janë evidentuar edhe në menaxhimin e burimeve njerëzore. Procedurat e rekrutimit nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me kriteret e kërkuara, ndërsa institucioni është përballur me paqëndrueshmëri të lartë të stafit, me 241 dorëheqje dhe 494 largime nga puna gjatë periudhës së auditimit.

Në fushën e prokurimeve publike, KLSH ka konstatuar shkelje në disa procedura të zhvilluara, ku kriteret teknike janë cilësuar të ekzagjeruara, të paargumentuara ose të paqarta. Në disa raste, operatorë ekonomikë janë shpallur fitues edhe pse nuk kanë përmbushur të gjitha kërkesat e tenderit, ndërsa në një numër të konsiderueshëm procedurash mungojnë deklaratat për konfliktin e interesit.

Një tjetër problematikë e rëndësishme lidhet me mungesën e kontrollit në terren. Sipas auditimit, IKMT nuk ka kryer inspektimet e nevojshme në raste të sinjalizuara për ndërtime pa leje, ndërsa në shumë raste nuk janë mbajtur procesverbalet përkatëse dhe nuk janë ndjekur procedurat për pezullim, prishje apo gjobitje. Edhe kur janë marrë vendime për prishje, një pjesë e tyre kanë mbetur të pazbatuara.

Po ashtu, janë konstatuar mangësi në ndjekjen e masave ndëshkuese, ku nuk janë kryer kontrolle pasuese, nuk janë ndjekur procedurat për ekzekutimin e gjobave dhe në disa raste nuk janë ndërmarrë hapa për fillimin e procedimeve penale, edhe kur janë konstatuar elementë të veprës “ndërtim i paligjshëm”.

Nga ana financiare, raporti evidenton detyrime të konsiderueshme për institucionin. Deri në fund të vitit 2024, detyrimet arrijnë në mbi 1 miliard lekë, përfshirë dëmshpërblime nga vendime gjyqësore dhe shpenzime të tjera, duke rënduar buxhetin e shtetit. Një pjesë e këtyre detyrimeve lidhen me largime të padrejta nga puna, të cilat janë rrëzuar nga gjykatat.

KLSH thekson se në disa raste IKMT nuk ka ndjekur procedurat ligjore për mbrojtjen e interesave të tij në gjykatë, duke mos ankimuar vendime ose duke i ankimuar jashtë afateve, çka ka sjellë pasoja financiare për institucionin.

Raporti nënvizon nevojën për përmirësim të menjëhershëm të procedurave administrative, forcim të kontrollit në terren dhe rritje të transparencës në prokurime, me qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër ndërtimeve të kundërligjshme.

Përmbledhje e gjetjeve kryesore

- Ligji nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme” i ndryshuar, nuk ka të vendosur një afat për ekzekutimin e vendimeve për prishjen e objekteve të kundërligjshëm, por përcaktimi i vetëm për prishjen e objekteve të kundërligjshme është ai “i menjëhershëm.

- Gjatë periudhës 2020-2024, konstatohet se urdhrat e shërbimeve të punonjësve, nuk kanë të përcaktuar saktë objektin e shërbimit dhe afatin kohor të përcaktuar, nuk kanë të bashkëngjitur një program pune të detajuar i cili duhet të realizohet me persona dhe afate konkrete, nuk kanë raport shërbimi apo ndonjë relacion për aktivitetin e kryer, ose kanë një raport formal, të padetajuar, i cili nuk mund të përdoret për të vlerësuar efektivitetin e shërbimit.

- Procedura e rekrutimit të punonjësve nuk është në çdo rast në përputhje me kriteret e vendosura për pozicionet, në lidhje me nivelin arsimor, përvojën në punë, formimin bazë etj.

Për periudhën objekt auditimi 2020 - 2024 u konstatua një paqëndrueshmëri në stafin e IKMTsë ku numri i largimeve me dorëheqje rezulton 241 punonjës dhe largime nga puna 494 punonjës në total.

- Kërkesa për rritjen e pagesave për shpenzime udhëtimi brenda vendit nuk është parashikuar në mënyrë të plotë dhe të saktë në 4 vite nga 5 vite objekt auditimi, si dhe nuk janë marrë në konsideratë shlyerja e detyrimeve të prapambetura.

- Në 13 procedura prokurimi të zhvilluara për periudhën 2020-2024, kanë rezultuar se, disa nga kriteret apo specifikimet teknike të hartuara nga komisioni përkatës konsiderohen të ekzagjeruara, të paargumentuara teknikisht dhe jo në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e kontratës. Gjithashtu, janë konstatuar kritere subjektive, të paqartë apo konfuzë, të cilët nuk përshkruajnë qartë dhe në mënyrë objektive kërkesën e AK.

- Në 13 procedura të audituara për vitet 2020 - 2024, Komisioni i Prokurimit me Vlerë të Vogël, në cilësinë e KVO-së ka kualifikuar dhe shpallur fitues OE në kushtet që nuk kanë përmbushur të gjitha kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në dokumentet e tenderit.

- Në 22 procedura prokurimi të audituara për periudhën 2020-2024 nga Komisioni i Prokurimit me Vlerë të Vogël, në cilësinë e KVO-së nuk janë plotësuar deklaratat mbi konfliktin e interesave.

- IKMT nuk është angazhuar për kryerjen e inspektimeve të nevojshme, për të garantuar mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme në zona ose objekte me rëndësi kombëtare, pas sinjalizimeve të ardhura nga institucionet e tjera publike. Nga IKMT nuk janë mbajtur proces verbale “Për konstatimin e kundërvajtës për kryerjen e punimeve pa leje ndërtimi”, duke mos vijuar më pas me vendim nga Kryeinspektori i IKMT-së për “Pezullim punimesh”, për “Prishje të objektit të kundërligjshëm dhe për “Dënim me gjobë” për të cilën ka detyrime që, krahas verifikimit në vend të situatës ndërtimore, të inspektojnë, të kërkojnë dhe të kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme pranë autoritetit përkatës. Në objektet e konstatuara të kundërligjshëm për të cilat ka një vendim prishje, vijojnë të pa ekzekutuara nga Drejtoria e Zbatimeve të Vendimeve dhe Drejtoritë Rajonale të IKMT-së, edhe pse ka dalë akti administrativ, por që nuk zbatohet nga vetë IKMT, duke sjellë më pas edhe rritjen e numrit të ndërtimeve informale, që kalojnë në procesin e legalizimit, ku subjektet kanë përfituar parcela ndërtimore në pronësi publike, në zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit.

- Për rastet e konstatimit të kundërvajtjes për kryerjen e punimeve pa leje ndërtimi, për persona të pa identifikuar të kryer nga inspektorët, nuk rezultoi që të ketë rikontrolle për të verifikuar ecurinë e punimeve të paligjshme dhe për të identifikuar personin përgjegjës.

- Në procedurat e ndjekura nga IKMT për zbatimin e masave administrative, rezultoi se në disa raste institucioni nuk ka ndjekur procedurën ligjore për paraqitjen në gjykatë të kërkesës për lëshimin e masës së ekzekutimit të vendimit. Kjo ka sjellë zvarritje të zbatimit të vendimeve administrative dhe ka kufizuar efektivitetin ndëshkues të procesit.

- Nga auditimi i vendimeve për pezullim punimesh të formuluara nga IKMT, u konstatua se në disa raste afatet e përcaktuara (p.sh. 15, 30 ose 60 ditë) nuk janë shoqëruar me arsyetim teknik apo ligjor të dokumentuar. Përcaktimi i këtyre afateve në mënyrë të përgjithshme apo të njëtrajtshme për raste të ndryshme, pa mbështetje në karakteristikat konkrete të kundërvajtjes apo dokumentacionin përkatës, cenon parimin e proporcionalitetit dhe qartësinë procedurale të masës administrative.

- Pas përfundimit të afateve të vendimeve për pezullim punimesh, rezultoi se në disa raste, nga IKMT nuk janë kryer inspektime të mëvonshme për të verifikuar gjendjen faktike në terren.

- Lidhur me praktikat e ndjekura nga IKMT në administrimin e masave ndëshkuese, është konstatuar se në disa raste nuk janë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme procedurat për njoftimin, ekzekutimin dhe arkëtimin e gjobave të vendosura.

- U konstatua se për disa subjekte ndaj të cilave janë vendosur masa pezullimi dhe ndëshkim me gjobë (si “Ll” SHPK, “A O” SHPK dhe “HKB”), mungon dokumentacioni mbi realizimin e inspektimeve pasuese.

- Për 5 vendime me gjobë me vlerë 43,672 mijë lekë, Drejtoria e Inspektimit Juridik, Sektori Ankimeve dhe Ndjekjes së Zbatimit të Vendimeve nuk ka kërkuar brenda afateve ligjore kërkesën për lëshim e urdhrit të ekzekutimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, me qëllim kthimin në urdhër ekzekutimi të gjobës së vendosur.

- Nga auditimi 32 dosjeve individuale të cilat përmbajnë qartësisht elementët e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm” konstatohet se nga ana e IKMT-së, nuk është kërkuar fillimi i procedimit penal për subjektet ndërtuese edhe pse këta të fundit kanë ndërtuar pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar.

- Deri më datë 31.12.2024 në total detyrimi është në vlerën 1,091,266,354 lekë ku, shuma e detyrimit është në vlerën 1,026,254,890 lekë, taksat përmbarimore në vlerën 46,722,762 lekë dhe shpenzime gjyqësore në vlerën 18,288,702 lekë, të cilat kanë rënduar buxhetin e institucionit. Likuidimi nuk është kryer sipas metodës FIFO, duke pasur parasysh se vlerat janë të konsiderueshme, ku është përdorur edhe pagesa me këste. Totali i detyrimeve të papaguara

për vitin 2024 është në vlerën 536,841 mijë lekë, detyrime mbi vendime gjyqësore të formës së prerë: dëmshpërblime nga prishja 9 vendime me vlerë 530.828,294 lekë dhe dëmshpërblim për shpenzime për telefoni celulare 2 vendime me vlerë 6,013,005 lekë.

- Në gjitha rastet e vendimmarrjeve të gjykatave, largimet nga puna janë konsideruar pa shkaqe të arsyeshme si dhe në shkelje të procedurës, fakt i konstatuar nga audituesit gjatë shqyrtimit të dosjeve të punonjësve dhe urdhrave të lirimit të tyre, arsye të cilat deri në këtë fazë kanë sjellë shpenzim pa ekonomicitet për buxhetin e shtetit në vlerën 14,425,623 lekë, shpenzim i cili pritet të jetë më i madh për shkak të numrit të lartë të gjyqeve tjera të fituara në shkallë të parë të gjyqësorit dhe atyre në pritje për tu zhvilluar. Gjithashtu, nga shqyrtimi i dokumentacionit të çështjeve gjyqësore për marrëdhëniet e punës, konstatohet se në 3 raste vendimet gjyqësore të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë nuk janë ankimuar ose janë ankimuar jashtë afatit ligjor. Si pasojë, nuk janë ndjekur shkallët vijuese të procesit gjyqësor, duke sjellë pamundësinë e mbrojtjes së interesave financiare të institucionit në instanca më të larta gjyqësore. /Pamfleti

 

ikmt klsh

Lini një Përgjigje