
Situata me zjarret është përkeqësuar në disa zona të vendit, ku gjatë mbrëmjes janë shënuar disa vatra aktive në Proptisht dhe Bulqizë.
Në njësinë administrative Proptisht janë regjistruar dy vatra zjarri, një në fshatin Homçan dhe një tjetër në Somotinë. Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, inspektorë të pyjores dhe banorë, të cilët po punojnë në kushte të vështira për shkak të terrenit malor.
Vatra në Homçan është vendosur nën kontroll, ndërsa situata mbetet problematike në Somotinë, ku flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës. Dhjetëra forca vijojnë përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është aktivizuar pasditen e sotme në fshatin Krajkë, në Bulqizë, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe duke u afruar rrezikshëm pranë zonave të banuara.
Zjarri në këtë zonë është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen fillestare nga banorët. Pritet ndërhyrja e strukturave vendore për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur dëme të mëtejshme.
Sipas të dhënave, raste të tilla lidhen shpesh me djegien e barishteve në toka bujqësore dhe livadhe, një praktikë që në shumë raste çon në përhapje të pakontrolluar të zjarrit.
Fenomeni është i përsëritur në zonën e Bulqizës dhe më gjerë në qarkun Dibër, ku çdo vit regjistrohen dëme në sipërfaqe pyjore, kryesisht me dushqe të djegura.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin ndezjen e zjarreve gjatë kësaj periudhe dhe paralajmërojnë masa ndëshkuese për çdo rast të konfirmuar të shkaktimit të qëllimshëm apo nga pakujdesia.
Lini një Përgjigje