Videoja tregon momentet fillestare të flakëve, ndërsa hetimet për shkaqet vijojnë
Janë publikuar pamjet e momenteve të para kur ka marrë flakë pallati pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, disa ditë më parë.
Nga pamjet, shihet se një grumbull kartonash po digjej pranë fasadës së katit të parë të godinës, në cep të "Big Market". Në video vihet re gjithashtu prania e një qytetari në vendngjarje, i cili nuk ndërhyn për të ndalur zjarrin në fazat fillestare.
Zjarri më pas u përhap me shpejtësi, duke përfshirë një pjesë të konsiderueshme të pallatit. Flakët vijuan për më shumë se 6 orë, në një operacion të gjatë të forcave zjarrfikëse, të cilat arritën të vinin situatën nën kontroll. Nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por u shkaktuan dëme të mëdha materiale në dhjetëra apartamente.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa deri më tani janë proceduar penalisht disa persona.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili në podkastin “Flasim” e cilësoi situatën si të rrezikshme për jetën e banorëve, por vlerësoi ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe forcave të rendit.
Sipas tij, reagimi profesional i tyre shmangu pasoja në jetë njerëzish, pavarësisht dëmeve të konsiderueshme në godinë, e cila u dëmtua rëndë nga zjarri.
Rama bëri të ditur se është vendosur që pallati të rindërtohet nga ndërtuesi, ndërsa familjet e prekura do të mbështeten me bonus qiraje dhe ndihmë nga bashkia deri në rikthimin në banesa.
Ai u ndal edhe te reagimet publike pas ngjarjes, duke kritikuar komentet që, sipas tij, bëhen pa ekspertizën e duhur, duke i cilësuar disa prej tyre si të nxituara dhe të pabazuara.
Lini një Përgjigje