Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka folur lidhur me protestën e djeshme të zhvilluar nga Partia Demokatike.
Në protestë u përdorën molotovë, mjete shpërthyese të krijuara në mënyrë artizanale, ndërsa tubuesit janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit ku disa prej tyre mbetën të plagosur.
Karamuço deklaroi se Policia po heton për të zbuluar se kush i ka sjellë bombat artizanale dhe se nga kanë ardhur ato. Ai u shpreh se dyshohet që mjetet shpërthyese i ka prodhuar një fabrikë në Kosovë.
Karamuço shton se ‘manipulimi dhe përgatitja e tyre përbën vepër penale, ai si edhe përdorimi’.
“Po hetohet nga ana e Policisë se kush i ka sjellë bombat artizanale. Është një fabrikë në Kosovë që i prodhon, me disa filiale. Ka pasur edhe në Shqipëri, por nuk ekziston më. Përdoren për fishekzjarrë, por janë gjashtë herë më të fuqishme në masë sesa ato që përdorin fëmijët për festa, të ashtuquajturat ‘shashka’. Policia po komunikon me autoritetet në Kosovë për të kuptuar se si vijnë dhe si shpërndahen. Aty ka gjurmë gishtash. Edhe manipulimi dhe përgatitja e tyre përbën vepër penale, jo më përdorimi”, u shpreh Karamuço për “Abc News”.
Lini një Përgjigje