TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Shkurt 2026, 17:55

Pas hetimeve të SPAK, PS propozon ‘privatizimin’ e tenderëve të AKSHI-t

Shkruar nga Pamfleti
Pas hetimeve të SPAK, PS propozon ‘privatizimin’ e
Foto ilustruese

Me firmën e një deputeti socialist, Kuvendi i Shqipërisë pritet të marrë në shqyrtim një nismë ligjore që synon transferimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, tek një shoqëri aksionere me pjesmarrje publike dhe private.

Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputeti i PS, Erjon Malaj, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të kryejë më prokurime dhe të lidhë kontrata për mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të vendit – duke ia transferuar këto detyra një shoqërie TIK, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.

Sipas “Birn”, praktika e ndryshimeve të diskutueshme ligjore përmes propozimeve të deputetëve socialistë nuk është e re dhe është aplikuar disa herë gjatë legjislaturës së kaluar. Njëkohësisht, mazhoranca socialiste po shkon së fundmi drejt menaxhimit me shoqëri aksionere publike dhe private në disa sektorë të ndjeshëm, përfshi edhe atë të mbrojtjes.

Projektligji i depozituar në Kuvend kërkon shfuqizimin e disa pikave në nenet 4 dhe 29 të ligjit “Për qeverisjen elektronike”, ku parashikohen kompetencat e AKSHI në kryerjen e prokurimeve të qendërzuara dhe lidhjen kontratave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit.

Po ashtu, AKSHI-t i hiqet detyrimi për prokurimet e klasifikuara si “sekret shtetëror” për institucionet e administratës shtetërore dhe ato në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe prokurorimet e tjera sipas kërkesave të institucioneve.

Për të kryer këtë detyrë propozohet të krijohet një shoqëri aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve, e krijuar ose e autorizuar nga AKSHI për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të qeverisjes elektronike.

Në përcaktimin e funksioneve, AKSHI-it i njihen vetëm ushtrimi i funksione të natyrës: standardizuese teknike, arkitekturore të sistemeve dhe të mbështetjes teknike dhe monitorimit të sistemeve të qeverisjes elektronike.

Ndërkohë, sistemet, platformat ose infrastruktura e Teknologjisë së Informacionit do të kalojnë, sipas nismës, “në administrim të shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje”.

Institucionet publike përfituese do të paguajnë shoqëritë operatore TIK në bazë kontratash shërbimi për shërbimet e mirëmbajtjeve të sistemeve të tyre.

Normat shumë të larta të fitimeve neto në raport me të ardhurat janë në fakt tipar dallues i subjekteve ekonomike që kanë fituar prokurime publike nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, një zyrë nën varësinë e kryeministrit, e cila merret me infrastrukturën digjitale të shtetit.

 

tender spak akshi

Lini një Përgjigje