
Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit zbarkoi në Tiranë, duke zhvilluar takime me drejtuesit e SPAK, BKH dhe GJKKO, si dhe me Presidentin Bajram Begaj. Në sy ra mungesa e një takimi me kryeministrin Edi Rama, një sinjal që u interpretua si mesazh i qartë i SHBA-së në raport me luftën kundër krimit dhe klimën politike.
Ndërkohë, protesta e opozitës ka thelluar përplasjen mes PS dhe PD. Rama paralajmëroi ndëshkim për dhunuesit e policisë, ndërsa Gazment Bardhi deklaroi se kryeministrin “e ka zënë frika”. Sali Berisha shkoi më tej, duke akuzuar Ramën për inskenim të dhunës dhe duke pretenduar se policët e plagosur ishin “pjesë e një efekti skenik”.
Në Parlament, Komisioni për Reformën Territoriale rifilloi punimet me rikthimin e opozitës në tryezë. Mazniku kërkoi hapa konkretë, ndërsa Boçi theksoi tensionin e lartë mes palëve. Nga qelia, Ilir Meta sulmoi mazhorancën, duke e akuzuar për “ligje me porosi” për të kapur Reformën në Drejtësi.
Edhe nga Brukseli erdhi një mesazh i prerë: ambasadori Gonzato kërkoi transparencë për fondet 100 milionë euro për mirëqenien sociale. Në të njëjtën kohë, SPAK mori të pandehur një ish-kryebashkiak socialist dhe tre zyrtarë për një tender prej 493 milionë lekësh.
Protesta pati edhe në terren: banorët pranë Gramzës bllokuan aksin Thumanë-Kashar, duke kërkuar ndërhyrje urgjente në infrastrukturë. Ndërsa familja Kola, që humbi jetën tragjikisht në Itali nga monoksidi i karbonit, kthehet për t’u prehur në atdhe.
Në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit hodhi poshtë akuzat, duke folur për kontradikta në pretendimet e Prokurorisë. Në Kosovë, Naim Murseli kërkoi takim me Behgjet Pacollin, duke deklaruar se borxhi prej 100 mijë eurosh është shlyer.
Në arenën ndërkombëtare, Mitsotakis dhe Erdogan zhvilluan takim kokë më kokë mes tensioneve në Mesdheun Lindor, ndërsa në parlamentin turk shpërthyen përleshje fizike gjatë betimit të ministrave të rinj.
Financial Times raportoi se Zelensky pritet të shpallë zgjedhje më 24 shkurt, mes presionit amerikan për një marrëveshje paqeje. Trump, nga ana tjetër, paralajmëroi Iranin se nëse nuk arrihet marrëveshje, SHBA do të ndërmarrë veprime të ashpra.
Në sport, Shqipëria nisi garimin në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ku Denni Xhepa u rendit i 34-ti në Super G, duke shënuar debutimin kuqezi në këtë edicion olimpik.
Lini një Përgjigje