
Saga me çështjen e ish kryeministrit, Sali Berisha ka vazhduar deri në momentet e fundit, kjo pasi gjatë seancës së sotme në GJKKO, avokatët kryesisht nuk e morën përsipër mbrojtjen e Berishës.
Me nisjen e seancës në orën 15:00 avokatet Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati kanë refuzuar të bëjnë mbrojtjen për ish kryeministrin dhe në këto kushte GJKKO caktoi si avokate kryesisht, Valentina Todoresku. Sipas njoftimit të gjykatës avokates i është lënë kohë për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.
Ndërkohë kujtojmë se në përfundim të seancës janë lënë në fuqi të dy masat e marra ndaj Berishës, ajo e ‘konfiskimit të pasaportës’ dhe ‘Detyrim Paraqitje”. Tani më ish-kryeministri Berisha dy herë ne muaj sipas vendimit të gjykatës duhet të paraqitet ne byronë kombëtare te hetimit.
Njoftimi i gjykatës
Në datën 26.10.2023, ora 15.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u riçel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt “Marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”.
– Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millona, ndërsa i hetuari Sali Berisha u përfaqësua nga mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata, av.Rabije Cenalia dhe av.Jalldiz Kastrati.
– Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj.
– Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av. Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.
Lini një Përgjigje