TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Tetor 2023, 14:59

Pas Berishës, SPAK trondit Edi Ramën; Dorian Duçka i skandalit “McGonigal” paraqitet në prokurori

Shkruar nga Pamfleti
Pas Berishës, SPAK trondit Edi Ramën; Dorian Duçka i skandalit
Dorian Duçka duke u futur në SPAK

Edi Rama e ka pranuar se Dorian Duçka ka qenë këshilltar jo zyrtar i tij...

Pas Sali Berishës, SPAK ka tronditur edhe Edi Ramën, pasi një prej emrave të dosjes “McGonigal” është paraqitur në SPAK. Bëhet fjalë për Dorian Duçkën.

Mësohet se pak më parë këshilltari në hije i kryeministrit ka ngjitur shkallët e SPAK, ku dyshohet se mund të merret në pyetje për skandalin në fjalë, por ende nuk ka një regim zyrtar.

Dorian Duçka ishte përfaqësues i LSI-së së Ilir Metës në koalicionin 2009-2013 me Sali Berishës, drejtor i Integrimit në Ministrinë e Energjetikës dhe përmendet në media edhe si kushëri i Ilir Metës. Dorian Duçka ka qenë zëvendës ministër i Energjetikës me LSI-në edhe në periudhën 2013-2015. Ai ka pasur një përvojë pune edhe me TAP-in, si Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projekteve. Më pas ai ka qenë këshilltar jo zyrtar i kryeministrit, gjë që e ka pranuar edhe Edi Rama.

Aktakuza vetë çfarë thotë në këto 14 herë? Hera e parë pika 8 faqja 3, personi B operonte si këshilltar zyrtar i kryeministrit. E vërtetë Dorian Duçka ishte këshilltar i jashtëm në ato vite, ky është fakt por krimi apo kompromentimi në këtë fakt ku janë?”, tha Rama në një emision.  

Sa i takon skandalit “McGonigal”, ish-agjenti i FBI ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave. Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me Dorian Duçkën (Personi A) me kërkesë të Agron Nezës (Personi B), ai i bëri thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë.

Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”. Akt-padia vendos një lidhje të drejtpërdrejtë të takimeve të ish zyrtarit të FBI-së me kryeministrin shqiptar në prani të personave të tretë A dhe B, që ishin shtetas privatë. Është e paqartë se përse kryeministri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.

Ndërkohë më 22 shtator, Charles McGonigal pranoi fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumenteve në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

Çdo pikë e aktpadisë përmban disa akuza.

Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk do të shkojë në gjyq. Kjo gjithashtu do të thotë që nuk do të bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje.

Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal.

Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.

“Përpara se të largohesha nga FBI në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin”, tha ai në gjykatë duke iu referuar kontakteve me qeverinë e Shqipërisë.

Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.

Zoti McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të zotit Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.

I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

Lini një Përgjigje