Qeveria e re e Peter Magyar premton luftë kundër korrupsionit dhe rikuperimin e fondeve të humbura...
Zyrtarë të lartë të qeverisë së ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban duhet të hetohen për miliarda euro fonde të Bashkimit Evropian që mungojnë, deklaroi për Politico autoriteti hungarez kundër korrupsionit.
Kërkesa për rikuperimin e këtyre fondeve vjen në një kohë kur pasardhësi i Orbanit, Peter Magyar, po përpiqet të bindë Brukselin se vendi është gati të marrë më shumë se 10 miliardë euro fonde të BE-së, të cilat janë ngrirë për shkak të shqetësimeve lidhur me sundimin e ligjit.
Ferenc Pal Biro, president i Autoritetit të Integritetit të Hungarisë, tha se “politikanë të nivelit të lartë mund dhe ka shumë mundësi të ndiqen penalisht” për përfshirjen e tyre në një skemë të dyshuar që mashtronte në mënyrë sistematike taksapaguesit evropianë gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbanit.
Ai tha se ekipi i tij ka “identifikuar një sërë çështjesh penale ku personalisht besoj se ne, si shtet, duhet të jemi në gjendje t’i rikuperojmë këto fonde dhe t’i kthejmë ato në vend, sepse shumica e tyre tashmë kanë dalë jashtë Hungarisë”.
Biro nuk ngriti akuza konkrete ndaj Orbanit ose anëtarëve të tjerë të rrethit të tij të ngushtë. Orbáni dhe partia e tij Fidesz nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Autoriteti Hungarez i Integritetit u krijua në vitin 2022 si pjesë e reformave të kërkuara nga Brukseli. Institucioni monitoron përdorimin dhe sigurinë e fondeve të BE-së. Ai është i pavarur nga qeveria dhe ka të ngjarë të luajë rol kyç në çmontimin e rrjeteve klienteliste të krijuara gjatë viteve të qeverisjes së Orbanit, të cilat shtrihen nga sektori i ndërtimit deri te shërbimet publike dhe media. Biro drejton këtë autoritet që nga themelimi i tij.
Sipas autoritetit, tre kompani kanë fituar shumicën e kontratave qeveritare për furnizimin me mallra dhe shërbime, ndërsa vlerat e kontratave janë fryrë artificialisht. Biro tha se qeveria ka shpenzuar rreth 10 miliardë euro me këto tri kompani gjatë katër viteve të fundit. Ai nuk i bëri publike emrat e tyre.
“Mbivlerësimi i çmimeve, që sipas nesh paraqet rrezik korrupsioni, arrin në rreth 3.5 miliardë euro,” tha ai, duke shtuar se tenderët publikë janë “manipuluar” dhe se për artikuj bazë janë paguar çmime disa herë më të larta se vlera e tregut.
Sipas tij, gjatë qeverisë së mëparshme shteti hungarez “u bë aktori më i madh në treg”.
Magyar, i cili mori detyrën në maj pas një fitoreje dërrmuese në zgjedhjet e mbajtura një muaj më parë, e ka akuzuar vazhdimisht paraardhësin e tij për korrupsion.
Qeveria hungareze nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Muajin e kaluar Magyar u takua në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pas takimit ai tha se palët kishin rënë dakord të punonin për “zhbllokimin” e deri në 16.4 miliardë euro fonde që i ishin mbajtur Hungarisë për shkak të shkeljeve të detyrimeve të saj sipas legjislacionit të BE-së.
Megjithatë, qeveria e Magyarit duhet ende të paraqesë deri në fund të gushtit një plan bindës për mënyrën se si do të zbatojë reformat thelbësore dhe do të shpërndajë fondet. Në të kundërt, rrezikon t’i humbasë ato.
Sipas Biros, Hungaria ka “mbetur dukshëm prapa” në kontrollin dhe monitorimin e mënyrës se si shpenzohen fondet evropiane.
Ai tha gjithashtu se gjatë qeverisë së mëparshme ishte subjekt i sulmeve me motive politike, si edhe objekt i tentativave për ryshfet, ndërsa përpiqej të hetonte skemën e prokurimeve publike.
Biro deklaroi se bashkëshortes së tij i ishte ofruar një vend pune, (refuzoi të tregojë nga kush) me pagë të lartë dhe pa detyrime reale pune. Ai tha gjithashtu se ishte ndaluar dhe akuzuar për përdorim të papërshtatshëm të automjetit të kompanisë.
Sipas tij, administrata e re duhet të veprojë sa më shpejt për të adresuar këto pretendime për korrupsion dhe intimidim, duke përfshirë hetimin e personave përgjegjës për parregullsitë e dyshuara.
“Një nga mandatet kryesore mbi të cilat është ndërtuar qeveria e re dhe kjo fitore dërrmuese zgjedhore është lufta kundër korrupsionit dhe rikuperimi i fondeve,” tha Biro, duke shtuar “duhet të vendoset drejtësia dhe njerëzit duhet të marrin mbrapsht atë që u është vjedhur.”
“Tolerancë zero”
Duke komentuar akuzat, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se ekziston “tolerancë zero ndaj mashtrimit në dëm të buxhetit të BE-së”.
“Shtetet anëtare janë të parat që duhet të parandalojnë, zbulojnë dhe trajtojnë në mënyrë efektive çdo parregullsi, përfshirë mashtrimin, që lidhet me fondet e BE-së të cilat ato i administrojnë, siç janë fondet e kohezionit,” tha zëdhënësi.
Ai shtoi se nëse hetuesit dhe prokurorët evropianë konstatojnë parregullsi, “Komisioni do të bashkëpunojë me shtetet anëtare për të siguruar rikuperimin e çdo fondi të BE-së që është përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga përfituesit”.
Biro tha se qeveria e Magyarit ende nuk e ka kontaktuar autoritetin për të përcaktuar mënyrën e bashkëpunimit, por theksoi se institucioni është i gatshëm të ndajë të gjitha informacionet që ka mbledhur.
“Ne disponojmë një sasi të madhe informacioni dhe kemi zbuluar një numër çështjesh,” tha ai. “Në varësi të mënyrës se si do të organizohet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe cili do të jetë roli i agjencisë për rikuperimin e pasurive, ose mund t’i trajtojmë vetë këto raste, ose mund t’ua kalojmë informacionin institucioneve përkatëse.”
Zyra Kombëtare për Rikuperimin e Pasurive është një institucion i ri që Magyar ka premtuar ta krijojë për të hetuar keqpërdorimin e pasurisë publike.
Muajin e kaluar Magyar njoftoi gjithashtu se qeveria e tij do t’i bashkohet Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), një hap që Orbáni kishte refuzuar ta ndërmerrte. EPPO ka kompetencë të hetojë dhe të ndjekë penalisht krimet që prekin buxhetin e Bashkimit Evropian, përfshirë mashtrimin dhe korrupsionin. /Përshtatur nga Politico/
Lini një Përgjigje