Sipas burimeve, rezultojnë se vëllezërit janë lidhje e afërt familjare e Rajmonda Dashit.
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e ish drejtoreshës së Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi dhe lidhjes së saj me një grup kriminal, të cilët i ndihmonte për të pastruar paratë.
Mësohet se vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj, janë dënuar në Belgjikë për trafik droge, ndërsa me vendim të Gjykatës së Posaçme, ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në vendin tonë.
Sipas burimeve, rezultojnë se vëllezërit janë lidhje e afërt familjare e Rajmonda Dashit.
Në pranga përfundoi edhe një biznesmen, shtetasi Ardian Malasi.
Ish-drejtuesja e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi është vënë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” me urdhër të SPAK për shkak të përfshirjes së saj në pastrim parash me një grup kriminal që aktivitetin e ka pasur jashtë shtetit. 1 person është arrestuar, dhe 2 vëllezër fierakë janë vënë në masë “arrest në burg” në mungesë, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Hetimi i nisur nga SPAK ka ardhur pas një letërporosie të mbërritur nga Belgjika për disa kohë më parë për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.
Dy vëllezërit, të dënuar nga autoritetet belge për vepra të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike, gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti në bashkëpunim të veçantë me ish-drejtuesen e komanduar të Kadastrës Durrës, Rajmonda Dashin, dhe personin e tretë të arrestuar me iniciale A.M., kanë kryer veprime të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal.
Këto para më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Më konkretisht, Rajmonda Dashi ka kryer veprime në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme; fshehjes ose mbulimit e pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
SPAK bënë me dije se gjatë hetimit janë identifikuar pasuritë dhe veprimet juridike të kryera mbi to dhe i është kërkuar Gjykatës së Posaçme sekuestrimi i 49 pasurive në total, dhe në veçanti 12 apartamente në Fier, 4 në Tiranë, 3 garazhe Tiranë, 27 llogari bankare, 1 shoqëri tregtare dhe 2 makina. Hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera.
Aktualisht, Rajmonda Dashi ishte emëruar specialiste për zonën e Vorës dhe Kamzës.
Lini një Përgjigje