TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Tetor 2023, 17:33

Merr fund saga me dosjen “Partizani”, GJKKO lë në fuqi masën e sigurisë për Berishën

Shkruar nga Pamfleti

Merr fund saga me dosjen “Partizani”, GJKKO lë në fuqi

Gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur që të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji Berisha të paraqitet pranë SPAK në orën 10.00... 

Ka marrë fund saga e procesit gjyqësor në ngarkim të Sali Berishës. Pas dy ditësh zvarritje, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ky i fundit është marrë i pandehur për aferën me privatizimin e pronave të ish-kompleksit “Partizani”. SPAK e akuzon atë për korrupsion dhe ndaj tij u vendos fillimisht masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, teksa u arrestua dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Por teksa për Malltezin procesi u mbyll kollaj duke konfirmuar masën, për Berishën ka pasur pengesa. Ai duhej të dilte para gjykatës për njohjen me masën, por procesi dështoi. Avokatët kërkuan më shumë kohë dhe seanca u shty për të mërkurën. Por dje sërish pati pengesa. Fillimisht avokatët e Berishës braktisën seancën dhe kjo bëri që gjykata të caktonte si avokat kryesisht Artan Simonin. Por edhe ky i fundit u largua pasi kishte bërë disa statuse në rrjetet sociale që u interpretuan se ishin për Berishën. Më pas gjykata caktoi avokatet Jalldiz Kastratin dhe Rabije Cenalian, për të mbrojtur Berishën. Seanca u planifikua për orën 10.00, por u shty për në orën 15.00. Por edhe ato u larguan dhe në fund u përfaqësua nga avokatja Valentina Todoresku. 

Në datën 26.10.2023, ora 15.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u riçel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt “Marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”.

– Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millona, ndërsa i hetuari Sali Berisha u përfaqësua nga mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata, av.Rabije Cenalia dhe av.Jalldiz Kastrati.

– Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj.

– Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”, njoftoi gjykata.

Gjyqtarja Irena Gjoka i ka qëndruar vendimit të parë duke deklaruar se Berisha do të qëndrojë në “detyrim paraqitje” dhe po ashtu i kufizohet e drejta për të dalë jashtë shtetit. Vetë Berisha pretendon se nuk e njeh vendimin. Ajo ka vendosur që të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji Berisha të paraqitet pranë SPAK në orën 10.00. 

Merr fund saga me dosjen “Partizani”, GJKKO lë në fuqi
Vendimi i GJKKO

Sa i takon dosjes së SPAK dhe akuzave ndaj Berishës, prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK.

Më tej prokuroria deklaron se në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J. M., në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:  Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro”, shprehet SPAK. /Pamfleti

dosja partizani gjkko berisha

Lini një Përgjigje