TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Tetor 2023, 15:48

Afera “Partizani”, rrëzohet kërkesa e Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka

Shkruar nga Pamfleti
Afera “Partizani”, rrëzohet kërkesa e Berishës
Gjyqtarja Irena Gjoka dhe Sali Berisha

Rrëzohet kërkesa e Sali Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga procesi kundër tij.

Sot avokatët e Berishës depozituan një kërkesë zyrtare, duke kërkuar që Gjoka të largohet me argumentin se ajo ka shkelur Kushtetutën me caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Por kërkesa është rrëzuar pak më parë.

Në kryesekretarine e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj”, njoftoi paradite gjykata.

Avokatët e Berishës pretendojnë se ai ka imunitet deputeti dhe nuk mund të ketë masë sigurie, prandaj kërkuan që gjyqtarja të largohet, me pretendimin se ka shkelur nenin 73 të Kushtetutës. Por gjyqtarja Flora Hajredinaj ka rrëzuar kërkesën duke i hapur rrugë mbajtjes së seancës për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë.

Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv” me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dhe është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje.

Mirëpo gjykata nuk po arrin të bëjë zyrtarizimin e masës. Të martën u caktua mbajtja e seancës për komunikimin e masës, por avokatët e Berishës kërkuan kohë dhe ajo u shty për të mërkurën. Por dje avokatët braktisën seancën dhe pati debate. Gjykata caktoi një avokat kryesisht, por ai u largua sepse kishte bërë statuse në rrjetet sociale kundër Berishës.

Gjykata caktoi më pas dy avokatet Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia. Pak më parë ato kanë kaluar pragun e Gjykatës Antikorrupsion dhe kanë hyrë në sallën ku do të mbahet procesi me dyer të mbyllura ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Dy avokatet që do përfaqësojnë Berishën kanë studiuara dosjen e ish-kompleksit “Partizani” për mbi katër orë.

Avokatja Jalldiz Kastrati tha se është e vendosur për ta përfaqësuar Berishën.

Sipas burimeve, sekretaria ka telefonuar një numër të lartë avokatësh të cilët janë justifikuar se e kanë të pamundur, se agjenda e tyre ishte e zënë me çështje të tjera penale, derisa është mbërritur në listën emërore të përcaktuar. /Pamfleti

Lini një Përgjigje