TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Janar 2026, 08:20

Përmbytjet nga korrupsioni/ Qeveria premton dëmshpërblim, opozita hesht për oligarkët; qytetarët sot në protestë

Shkruar nga Pamfleti

Qytetarët në Durrës pretendojnë se përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimit me fondet publike. Protesta janë paralajmëruar edhe për sot, 9 janar, para Bashkisë së Durrësit, me kryeministrin Rama që do të mbledhë sot Komitetin e Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar në disa zona të vendit.

Përmbytjet nga korrupsioni/ Qeveria premton dëmshpërblim, opozita
Edi Rama

Pas disa ditëve me reshje intensive dhe përmbytjeve, niveli i ujit në lumin Vjosë ka rënë dukshëm, duke ulur rrezikun për zonat përreth.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video nga terreni, që tregon situatën aktuale në lumin dhe zonat përreth.

Kryeministri njoftoi se ka nisur procesi i verifikimit të dëmeve në të gjithë rajonin, ndërsa strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë banorëve dhe për të reaguar ndaj çdo situate emergjence.

Ndërkohë nga moti i keq që përfshiu vendin ditët e fundit solli pasoja të rënda, me përmbytje, evakuime masive dhe humbje jete.Situata më kritike u regjistrua në Durrës, ku u shënua edhe viktima e parë nga përmbytjet.

Një 54-vjeçar u gjet i pajetë në një kanal kullimi, pasi u mor nga rrjedha e ujit.

Reshjet e pandërprera shkaktuan rritje të niveleve të lumenjve kryesorë, duke përkeqësuar ndjeshëm situatën në disa qarqe. Në Durrës janë evakuuar rreth 400 banorë, ndërsa autoritetet urdhëruan largimin e menjëhershëm të banorëve edhe në zonat e Sukthit dhe Katundit të Ri.

Qyteti bregdetar vijon të mbetet në situatë kritike.

Ndërkohë opozita ka frikë t’i përmendë emrin “oligarkëve” për skandalin e korrupsionit të hidorvorit në Durrës (që u ndërtua nga kompania në pronësi të familjarëve të zyrtarëve socialistë që fituan kontratën me vlerë 20 milion euro), teksa vetë Sali Berisha ka kërkuar vetëm që Rama të shpërblejë qytetarët e prekur.

Probleme serioze janë shënuar edhe në jug të vendit. Lumi Vjosa ka arritur kuotat maksimale, duke detyruar autoritetet të shpallin nivelin më të lartë të alarmit në Novoselë, ku është dhënë urdhër evakuimi për banorët. Evakuime janë urdhëruar gjithashtu edhe në Ferras të Fierit, për shkak të rrezikut të lartë nga përmbytjet.

Sipas informacioneve nga terreni, në qarkun e Vlorës situata mbetet kritike, me Vjosën që vijon të jetë në kuotën rreth 9 metra. Ekspertët paralajmërojnë se përkeqësimi i motit dhe stuhitë në det pritet të vështirësojnë shkarkimin e masave ujore, duke rritur rrezikun e zgjerimit të përmbytjeve në thellësi të fshatrave dhe rritjes së dëmeve në tokat bujqësore.

Ndërkohë, në Durrës, një numër i madh banorësh dolën në protestë gjatë ditës së djeshme, duke marshuar me pankarta nëpër rrugë dhe duke kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Ata pretendojnë se përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimit me fondet publike. Protesta të tjera janë paralajmëruar edhe për sot, 9 janar, para Bashkisë së Durrësit.

Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile ndodhen në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat e evakuimit dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për zhvillimet e situatës.

Delegacioni i Bashkimit Evropian gjithashtu ka reaguar për përmbytjet në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për situatën dhe gatishmëri për të mbështetur autoritetet dhe qytetarët shqiptarë, përfshirë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së dhe asistencës së DG ECHO me të dhëna nga sateliti Copernicus.

përmbytjet nga korrupsioni

Lini një Përgjigje