
Mazhoranca qeverisëse është tërhequr sot nga “Ligji për Gardën e Republikës”.
Opozita e akuzonte PS se e kishte sjellë ligjin duke paracaktuar drejtuesin e Gardës. Por sot papritur PS ka vendosur të bëjë një hap pas.
“Ky është një ligj që sjell disa ndryshime në ligjin organik të Gardës së Republikës. Ishte një ligj që duhej riparë dhe përditësuar, për të qartësuar disa norma dhe për të shmangur përplasjet me akte të tjera ligjore. Ligji është tërhequr me kërkesë të grupit parlamentar, pasi diskutimet kërkojnë një analizë më të detajuar për të parë efektet ligjore që do të sjellin ndryshimet”, tha deputeti socialist Erion Mile.
Pas largimit të Ermal Onuzit, ministrja e Brendshme e asaj kohe, Albana Koçiu, emëroi drejtor të përkohshëm Simon Zerecin dhe hapi më pas garën për drejtuesin e ri, në zbatim të nenit 17 të ligjit për Gardën e Republikës. Por procesi dështoi. Në Kuvend shkoi ligji i ri, me argumentin se do të lehtësohej gara, por PS është tërhequr sot.
Lini një Përgjigje