TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Prill 2026, 15:35

Efektivë italianë gjatë sezonit turistik në Durrës dhe Vlorë, zbardhen detaje nga takimi i kryepolicit Hitaj me drejtuesin e lartë italian

Shkruar nga Pamfleti
Efektivë italianë gjatë sezonit turistik në Durrës dhe
Takimi i kryepolicit Hitaj me drejtuesin e lartë italian

Në kuadër të sezonit turistik, drejtuesit ranë dakord për angazhimin e efektivëve italianë në Durrës dhe Vlorë, në mbështetje të strukturave vendase të rendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj ka zhvilluar një takim në Tiranë me drejtuesin e Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor të Italisë, Lorenzo Bucossi.

Biseda u përqendrua te forcimi i bashkëpunimit mes dy policive dhe te veprimet e përbashkëta kundër krimit të organizuar. Të dy drejtuesit vlerësuan nivelin aktual të koordinimit dhe e konsideruan atë një praktikë të konsoliduar në rajon.

Palët trajtuan prioritetet në bashkëpunimin hetimor dhe operacional. Diskutimi përfshiu shkëmbimin e informacionit, koordinimin e operacioneve të përbashkëta dhe masat për goditjen e trafiqeve të paligjshme. Vëmendje mori edhe parandalimi i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe vijimi i aksioneve për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të sezonit turistik, drejtuesit ranë dakord për angazhimin e efektivëve italianë në Durrës dhe Vlorë, në mbështetje të strukturave vendase të rendit.

Takimi trajtoi edhe bashkëpunimin në fushën e trajnimit. U diskutua forcimi i lidhjeve mes akademive policore dhe mundësia që një punonjës i Policisë së Shtetit të ndjekë studimet në Itali.

“Në fokus të takimit ishte ecuria e bashkëpunimit shumë të mirë ekzistues ndërmjet policive të të dy vendeve. Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita garantoi Drejtuesin e Lartë Lorenzo Bucossi, se marrëdhëniet shumëdimensionale mes dy policive do të forcohen akoma më shumë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit për këtë takim.

Nga ana e tij, Drejtuesi i Lartë Lorenzo Bucossi vlerësoi “gatishmërinë, vendosmërinë dhe vizionin e Drejtor Hitës, për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit” dhe e ftoi atë për një vizitë pune në Policinë italiane.

“Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e bashkëpunimit hetimor dhe operacional, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe intensifikimin e masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe të trafikimit të lëndëve narkotike”, vijon njoftimi.

 

skënder hitaj

Lini një Përgjigje