Pse nuk shkarkohen drejtoresha e Traumës dhe kreu i Albpetrol?
Aferat në radhët e institucioneve kanë kapur nivele të jashtëzakonshme. Thuajse në çdo drejtori shpërdorohen fondet dhe futen para në xhep.
KLSH ka zbuluar se në vetëm 8 muaj janë shpërdoruar dhe grabitur mbi 190 mln lekë. Bëhet fjalë për një sërë institucionesh që nuk pyesin për ligj dhe bëjnë batërdi me tenderët dhe shpenzimet.
Teksa KLSH ka qenë e matur te kallëzimet penale, ka kërkuar shkarkimin nga detyra të të gjithë atyre që kanë futur duart te buxheti i shtetit. Bëhet fjalë për 11 funksionarë, ku 8 janë të nivelit të ulët dhe 3 janë drejtorë të nivelit të lartë. 3 emrat e fundit janë: Shefja e Traumës, Edlira Bode; Eltar Deda, administratori i kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol sha dhe Adrian Koni, Drejtor i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.
Ky i fundit iku para paka ditësh pa shumë bujë. Krejt papritur u njoftua zëvendësimi, por sipas informacioneve, largimi ka të bëjë pikërisht me auditimin e KLSH. KLSH ka zbuluar se afro 50% e pasurive të konfiskuara që kanë kaluar në pronësi të shtetit, u janë dhënë përsëri eksponentëve të krimit me qira simbolike; 287 makina, toka, troje, lokale, apartamente e vila, u janë shitur atyre në ankande me çmime 30-40% të vlerës së tregut, duke përdorur blerës fiktiv. Pas kësaj Taulat Balla i kërkoi largimin.
Por ndryshe nga sa u veprua me Konin, dy emrat e tjerë janë ende në detyrë.
Sa i takon Edlira Bodes, KLSH nga një auditim të kryer, zbuloi abuzime të jashtëzakonshme në Spitalin e Traumës. Duke filluar nga tenderët, te ilaçet, protezat, kushtet në spital, por dhe favoret ndaj koncesionarit të sterilizimit. Ndërkohë nga auditimi rezulton se Spitali Ushtarak nuk ka ambient dhe nuk është i pajisur me frigorifer-morg, për të bërë administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në këtë strukturë. Në vitin 2021 pranë këtij spitali kanë ndërruar jetë 90 pacientë, thotë KLSH dhe Spitali i Traumës nuk ka krijuar ambiente të përshtatshme për të ushtruar veprimtarinë e tyre ligjore, strukturat përgjegjëse të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Sa i takon Albpetrol, KLSH zbuloi një numër të madh abuzimesh që bëhet me çmimin e naftës dhe rezervave të saj. Për këtë arsye u kërkua shkarkimi i drejtorit Eltar Deda, por qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr. Ai konsiderohet përgjegjës, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka lejuar shkaktimin e dëmit ekonomik në vlerë miliona dollarë, si edhe ka vendosur kompaninë përballë riskut që të humbasë edhe dhjetëra milionë dollarë të tjerë. Audituesit shtetërorë kanë përllogaritur se, vetëm për shkak të kësaj situate, kompanisë Albpetrol i mungojnë rreth 5.8 milionë dollarë të ardhura. Mbetet të shihet se si do veprojë Rama, pasi bëhet fjalë për dy emra që kanë vënë në rrënjë në këto institucione dhe janë bërë mjeshtra të abuzimeve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje