
Analisti Enton Abilekaj thotë se procesi ku po rrëfen Nuredin Dumani, është në fakt një skaner i botës së krimit në Shqipëri.
I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Abilekaj tha se grupi i vrasësve me pagesë e kanë nisur si kriminelë ordinerë, deri në ditët e sotme kur vrasjen e kishin kthyer në punë të përditshme për organiztat e mëdha kriminale.
Sipas tij, rrëfimet e Dumanit janë pasqyrë historike se si grupet kriminale janë rritur dhe kanë krijuar struktura komplekse dhe me shumë të ardhura.
"Sot po zbardhim ngjarje shumë të hershme, si vrasja e kambistit përshembull, që mund të ketë 12 vjet. Ngjarje që kanë mbetur pa autorë edhe pse autorët diheshin. Si e kanë filluar këta, na tregojnë skanerin e krimit, se si ka ecur krimi në Shqipëri. Këta kanë qenë ca njerëz, kriminelë ordinerë, që për të jetuar grabisnin kambistë, vidhnin dhe grabisnin shtëpi, tregojnë se si ndodhi që e vranë kambistin se ishin amatorë dhe pastaj sot, në fazën e fundit, kur janë vrasës profesionistë, në shërbim të një krimi të organizuar të nievele shumë të mëdha. Ky është skaneri i ecurisë së krimit në Shqipëri. Skaner që tregon se çfarë ka qenë drejtësia. Kriminelët kanë qenë në anën e krimit por edhe të drejtësisë dhe politikës.
Në vitin 98’ ose 99’, kur isha te Gazeta Koha Jonë, duke zbritur gjej Sokol Bregun duke folur në telefon në 12 të natës dhe e pyes cfarë po bën akoma. Më thotë, kanë rrethuar Zani Çaushin dhe duan ta arrestojnë por nuk e arrestojnë dot. Pse i thashë? Sepse është një politikan i lartë që e mbështet. Ne rikthyem gazetën, faqen e parë dhe pritëm çfarë do të ndodhte, a do të jeptë leje politikani që të arrestohej. Pas presionit tonë, ata u dorëzuan dhe Zani u kap. Imagjino tani, sikur kjo të kalonte në heshtje si ngjarje. Çfarë do të ndodhte sot në Vlorë? Sot në Vlorë, banda e Zani Çaushit, mund të ishte ligjvënëse, të caktonte kryetarin e bashkisë, të ishte bërë akoma më e madhe. Ajo që nuk ndodhi në atë rast, ka ndodhur në dhjetëra raste të tjera, që e kanë çuar krimin sot në këtë pikë ku është.
Ky gjyq na tregon jo vetëm që çfarë kanë bërë kriminelët, por edhe ata që kanë mbështetur kriminelët në politikë dhe në drejtësi, që e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje. Krimi ka hyrë nër Parlament, ka drejtorët nëpër ministri, cakton drejtorë policie, diplomacie. Edhe motra e Nuredin Dumanit punonte në Ministrinë e Jashtme. Pra këtë skaner na e bëjnë rrëfimet e Dumanit, se si filluan si amatorë dhe si u sofistikuan sot për shkak të lidhjeve me politikën dhe mbrojtjes nga drejtësia", tha Abilekaj.
Lini një Përgjigje