
Shqiptarët anë e mbanë botës presin që lojtarët e kombëtares të luajnë ndeshjen e ‘jetës’, për t’i sjellë Shqipërisë një fitore me shumë vlerë, si brenda ashtu dhe jashtë fushës së lojës.
Në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania” do të luhet ndeshja e shumëpritur Shqipëri-Serbi e vlefshme për eliminatoret e “Botërorit 2026”. Nën nostalgjinë e përballjes së 14-tetorit, 2014 në Beograd, ndeshja e sotme shihet më shumë se si një ndeshje futbolli, kjo është vënë re edhe nga mobilizimi i tifozëve shqiptarë nga të gjitha trevat. Që nga mëngjesi i sotëm, radhë të gjata automjetesh nga Kosova dhe Maqedonia kanë vërshuar drejt pikave kufitare me Shqipërinë për të qenë prezent në Tiranë për këtë ndeshje ku pritshmërit janë të mëdha.
Nga mesdita, në Tiranë kanë vërshuar tifozët Kuqe e Zi nëpër të gjitha rrugët e kryeqytetit me flamujt dhe simbolet kombëtare duke përcjellë një atmosferë feste para ndeshjes.
Tifozët janë mbledhur nëpër ambiente të ndryshme pranë stadiumit, në zonën e Bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku me këngë patriotike dhe bori makinash kanë vijuar deri në këto momente duke mbajtur një atmosferë elektrizuese.
Nga ana tjetër, autoritet shqiptare kanë marrë masa të rrepta për organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj ndeshje. Qindra forca policie janë organizuar për të drejtuar trafikun në rrugët pranë stadiumit të cilat do të jenë të bllokuara si dhe për të ruajtur rendin dhe qetësinë në zonat përreth.
Forcat Speciale kanë rrethuar stadiumin dhe do të jenë të gatshme për të reaguar në rast tensionesh. Gjithashtu është parë edhe prezenca e autoboteve të ujit të cilët përdoren për shpërndarjen e turmave gjatë protestave.
Brenda pak minutave pritet që të nisë edhe futja e tifozëve të cilët kanë siguruar një biletë për këtë ndeshje, e cila ka pasur shumë kërkesa por që ka qenë e kufizuar për shkak të numrit të ulëseve në stadium.
Sa i takon anës sportive, një fitore sot nga ana e Shqipërisë do të ishte një hap i madh në rrugën drejt “Botërorit 2026”. Kujtojmë se ne jemi në grupin K, ku bëjnë pjesë, Anglia, Letonia, Serbia dhe Andorra.
Vetëm fituesi i grupit kalon automatikisht në grupet e Kupës së Botës. Vendi i dytë më pas do të ketë mundësi të kualifikohet me anë të play-off.
Aktualisht, në Grupin K, anglezët kryesojnë me gjashtë pikë, pas fitores ndaj Shqipërisë 2:0 dhe Letonisë me 3:0. Shqipëria është e dyta me tre pikë pas fitores me 3:0 ndaj Andorrës. Letonia është e treta me gjithashtu me tre pikë pasi mundën Andorrën me 1:0. Serbia, nga ana tjetër nuk asnjë pikë dhe përballja ndaj Shqipërisë është ndeshja e tyre e parë në këto kualifikuese.
Në Tiranë gjithçka është gati, në 20:45, shqiptarët anë e mbanë botës presin që lojtarët e kombëtares të luajnë ndeshjen e ‘jetës’, për t’i sjellë Shqipërisë një fitore me shumë vlerë si brenda ashtu dhe jashtë fushës së lojës./Pamfleti
Lini një Përgjigje