
Ndeshja e shumëpritur Shqipëri–Serbi, që luhet mbrëmjen e sotme në “Arenën Kombëtare”, ka krijuar një situatë të pazakontë në kufirin Shqipëri–Maqedoni e Veriut. Qindra makina me tifozë shqiptarë, kryesisht nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, kanë krijuar radhë të gjata në pikën kufitare të Bllatës, për të hyrë në territorin shqiptar.

Përballë temperaturave të larta dhe pritjes së zgjatur, Policia e Kosovës në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Shkup kanë ndërhyrë me një gjest solidariteti: shpërndarje uji për të gjithë qytetarët që ndodhen në kolona. Ky aksion, që ka nisur në orët e paradites, është përshëndetur nga qytetarët dhe konsiderohet një masë e domosdoshme në kushtet aktuale.

Ndërkohë, autoritetet kufitare shqiptare kanë vendosur të zbatojnë një procedurë të thjeshtuar për kalimin e automjeteve, me qëllim shmangien e vonesave dhe tensioneve. Përplasja e pritur sportive në Tiranë ka ndezur entuziazmin e shqiptarëve në të gjitha trojet, duke treguar edhe një herë përmasat simbolike që ka ky takim përtej fushës së lojës.


Lini një Përgjigje