Gjykata e dënoi Zef Malin me 2 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në 1 vit e 8 muaj burgim. Po ashtu, ndaj tij u vendos ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ditën e sotme ish-gardistin Zef Mali dhe shtetasen Jemine Çoku për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Zef Mali u shpall fajtor për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Gjykata e dënoi atë me 2 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në 1 vit e 8 muaj burgim. Po ashtu, ndaj tij u vendos ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërkohë, Jemine Çoku u dënua me 1 vit burg. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 muaj burgim, ndërsa gjykata vendosi përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ish-gardisti Zef Mali, në bashkëpunim me Kreshnik Domin, i kanë kërkuar dhe marrë Jemine Çokut shumën prej 20 mijë eurosh.
SPAK pretendon se ata i kishin premtuar Çokut se do të ndikonin te zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë për të përshpejtuar procedurat e transferimit në Shqipëri të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i dënuar në Turqi.
Në kohën kur dyshohet se janë kryer veprimet, Zef Mali mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës.
Sipas dosjes hetimore, të pandehurit kishin kontakte të vazhdueshme me Jemine Çokun dhe familjarët e saj gjatë procedurave për transferimin e të dënuarit nga Turqia drejt Shqipërisë.
Lini një Përgjigje