TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Maj 2026, 15:00

Babai i Ervis Martinajt në GJKKO për pasuritë e sekuestruara: SPAK s’do ta zbardhë të vërtetën

Shkruar nga Pamfleti
Babai i Ervis Martinajt në GJKKO për pasuritë e sekuestruara:
Ervis Martinaj

Babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj, është paraqitur për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme në kuadër të procesit për konfiskimin e pasurive të djalit të tij.

Bëhet fjalë për procedurën që lidhet me konfiskimin e 34 pasurive të Ervis Martinajt dhe personave të lidhur me të, të cilat përllogariten me një vlerë rreth 10 milionë euro. Seanca u shty sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve.

Pas daljes nga gjykata, Mustafa Martinaj deklaroi për mediat se, sipas tij, nuk ka asnjë zhvillim nga autoritetet për zbardhjen e zhdukjes së djalit të tij.

“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë”, tha ai.

Sipas Mustafa Martinajt, në moszbardhjen e ngjarjes kanë interes edhe drejtues të policisë kriminale ndër vite.

“I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time, askush nuk është interesuar që atëherë”, përfundoi Martinaj.

Në tetor të vitit 2025, babai i Ervis Martinajt iu drejtua edhe Gjykatës së Lezhës me kërkesën që djali i tij të shpallet zyrtarisht i zhdukur, por çështja ende nuk ka marrë një vendim.

Ndërkohë, për Prokurorinë e Posaçme, për aq kohë sa nuk ekziston një provë që të vërtetojë të kundërtën, Ervis Martinaj konsiderohet i gjallë.

Ervis Martinaj vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles.

Babai i Ervis Martinajt në GJKKO për pasuritë e sekuestruara:

 

Lini një Përgjigje