Avokati Arben Llangozi ka shpallur kandidaturën për postin e Kryetarit të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë. Përmes një reagimi publik, ai bëri të ditur se vendimi erdhi pas kërkesës dhe mbështetjes së shumë kolegëve të profesionit.
Në mesazhin e tij, Llangozi thekson nevojën për më shumë mbështetje institucionale për avokatët, transparencë dhe përfaqësim më të fortë të interesave të tyre në raport me sistemin e drejtësisë. Ai shprehet se Dhoma e Avokatisë duhet të ketë rol aktiv në mbrojtjen e të drejtave profesionale dhe forcimin e standardeve të profesionit.
Ai shton se kandidatura e tij synon një Dhomë më aktive dhe më të hapur ndaj problematikave të avokatëve, duke theksuar se profesioni ka nevojë për më shumë respekt institucional dhe barazi reale në ushtrimin e detyrës.
"Sot, me kërkesë dhe mbështetje të shumë kolegëve, vendosa të paraqes kandidaturën time për Kryetar të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë. Ky vendim nuk është një ambicie personale, por një përgjegjësi ndaj profesionit, ndaj kolegëve dhe ndaj nevojës që avokatia të ketë përfaqësimin që meriton.
Prej vitesh kam qenë pranë kolegëve, kam mbështetur shqetësimet e tyre dhe kam ngritur zërin sa herë që avokatia është cenuar, anashkaluar apo trajtuar si pjesë dytësore e sistemit të drejtësisë. Bindja ime ka qenë dhe mbetet e qartë, pa avokati të fortë, nuk ka drejtësi të fortë.
Avokati nuk është thjesht përfaqësues i një pale në proces. Avokati është garant i të drejtës së mbrojtjes, i barazisë së armëve, i procesit të rregullt ligjor dhe i aksesit real të qytetarit në drejtësi. Në çdo sistem demokratik, niveli i respektit ndaj avokatit tregon edhe nivelin e respektit ndaj lirive dhe të drejtave të qytetarit.
Prandaj Dhoma Vendore e Avokatisë Tiranë nuk do të jetë vetëm një strukturë administrative. Ajo duhet të jetë institucion përfaqësimi, mbrojtjeje dhe standardi dhe zwri i avokatwve. Duhet të jetë pranë avokatëve në problemet e përditshme, të reagojë kur cenohen të drejtat profesionale, të kërkojë respekt institucional dhe të ndërtojë mekanizma realë mbështetjeje për çdo koleg.
Avokatia sot ka nevojë për më shumë mbwshtetje, më shumë transparencë, më shumë komunikim dhe më shumë forcë institucionale. Ka nevojë për një dhomë që dëgjon avokatët, që i përfaqëson me dinjitet dhe që nuk e lë zërin e tyre të shpërndarë apo të padëgjuar.
Kandidatura ime është angazhim për një Dhomë më aktive, më të hapur dhe më të përgjegjshme. Një Dhomë që mbron avokatin, forcon standardet profesionale, mbështet avokatët e rinj dhe i jep profesionit peshën që i takon në sistemin e drejtësisë.
Avokatia nuk kërkon privilegje. Avokatia kërkon respekt, standard dhe barazi reale në ushtrimin e detyrës. Kjo është arsyeja pse ky proces ka rëndësi jo vetëm për një zgjedhje, por për drejtimin që duam t’i japim profesionit tonë.
Unë besoj se Dhoma Vendore e Avokatisë Tiranë duhet të jetë zëri i avokatëve të Tiranës, zë i qartë, zë i fortë, zë dinjitoz dhe zë që dëgjohet", shkruan Llangozi.
BRAVO AVOKAT LLANGOZI. JU UROJME SUKSESE!