
Pas helmimit të 56 studentëve të Akedemisë së Sigurisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar mensën e Akademisë së Sigurisë. Burime për "A2 Cnn", bëjnë me dije se inspektimet dhe analizat e kryera nga AKU kanë konstatuar se ambientet ku shërbehej ushqimi ishin jashtë standardeve higjieno-sanitare.
Akademia furnizohej me ushqim përmes kompanisë së kateringut “Sori Al”, ndërsa studentët konsumonin vaktet në mensën e institucionit. Pas verifikimeve, AKU vendosi mbylljen e menjëhershme të mensës dhe vendosjen e shiritit bllokues.
Burime pranë Akademisë bëjnë me dije se, pas bllokimit të mensës, kursantët do të nxirren në praktikë jashtë institucionit, pasi aktualisht nuk kanë mundësi të ushqehen në ambientet e saj.
56 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan nga vakti i drekës i shërbyer në ambientet e institucionit nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al në pronësi të Alma Tafanit.
Mësohet se dreka nga ku dyshohet se janë helmuar përbëhej nga: sallatë perime të ziera, gjellë patate / tavë me presh, makarona / pilaf, mish, biskota, banane dhe bukë.
Për ngjarjen, Policia e Tiranës ka arrestuar teknologen dhe kuzhinierin si dhe ka shpallur në kërkim pronaren e kompanisë për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Studentët që u helmuan kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje të forta barku. Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim, serume, ata janë kthyer sërish në Akademinë e Sigurisë.
Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.
Lini një Përgjigje