Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë më 28 maj rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me një masë më të lehtë.
Veliaj mbahet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Kërkesa e tij vjen në një moment kur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë rishikuar një vendim unifikues të vitit 2011 lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg” dhe kohëzgjatjen e saj.
Vendimi i ri, i marrë në mënyrë unanime, përcakton se masa më e rëndë e kufizimit të lirisë personale duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar më parë alternativat e tjera të sigurisë. Gjithashtu, kërkohet një arsyetim i detajuar për çdo rast konkret, ndërsa barra e provës i takon prokurorisë për të justifikuar nevojën e vendosjes së masës ekstreme.
“Kërkohet zëvendësimin e masës se sigurimit “Arrest ne burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit te Procedurës Penale, me një masë sigurimi më të bute si “Garanci pasurore” parashikuar nga neni 236 i Kodit të Procedurës Penale ose “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit te Procedurës Penale”, thuhet në kërkesën e Veliajt.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Lini një Përgjigje