Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Kërkon lirinë/ Gjykata e Lartë cakton datën e shqyrtimit të rekursit të Erion Veliajt
Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë më 28 maj rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me një masë më të lehtë.
Veliaj mbahet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Kërkesa e tij vjen në një moment kur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë rishikuar një vendim unifikues të vitit 2011 lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg” dhe kohëzgjatjen e saj.
Vendimi i ri, i marrë në mënyrë unanime, përcakton se masa më e rëndë e kufizimit të lirisë personale duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar më parë alternativat e tjera të sigurisë. Gjithashtu, kërkohet një arsyetim i detajuar për çdo rast konkret, ndërsa barra e provës i takon prokurorisë për të justifikuar nevojën e vendosjes së masës ekstreme.
“Kërkohet zëvendësimin e masës se sigurimit “Arrest ne burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit te Procedurës Penale, me një masë sigurimi më të bute si “Garanci pasurore” parashikuar nga neni 236 i Kodit të Procedurës Penale ose “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit te Procedurës Penale”, thuhet në kërkesën e Veliajt.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
"Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore"/ Meta pas seancës në GJKKO: Durim, do të çmontohen të gjitha!
Kreu i PL, Ilir Meta ka reaguar pas seancës së radhës në GJKKO, ku po zhvillohet gjykimi në themel ndaj tij. Meta tha se prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore që, sipas tij, lidhej me pretendimin për një lobim prej 1 milion dollarësh për një foto me ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Meta deklaroi se prokurori pranoi në seancë se bëhet fjalë për një pagesë prej 15 mijë dollarësh ndaj kompanisë “McKeon Group”, pagesë që ai tha se e kishte deklaruar publikisht dhe në SPAK tre vite më parë.
Ai sulmoi edhe mediat e huaja “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, duke pretenduar se artikujt ndaj tij ishin sponsorizuar “me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare”.
Sipas Metës, mbi këto publikime u ndërtua kallëzimi penal dhe akuza që çoi në arrestimin dhe izolimin e tij politik prej 19 muajsh.
Këmbanë alarmi për sigurinë në vend!/ PD e Lezhës kujtohet të reagojë për dhunën ndaj Sokol Tomës
Partia Demokratike në Lezhë është kujtuar të reagojë për dhunën barbare ndaj Sokol Tomës, ish-kreut të saj në Dajç. Edhe pse kjo ngjarje ka ndodhur dy ditë më parë.
PD u kërkon organeve ligjzbatuese zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve. Po ashtu në këtë reagim të vonuar, PD Lezhë shpreh solidaritet dhe mbështetje të plotë ndaj Tomës e familjes së tij.
“Kjo ngjarje është tronditëse dhe e papranueshme për çdo shoqëri demokratike, ndërsa përbën një tjetër këmbanë alarmi për gjendjen e rëndë të rendit dhe sigurisë publike në Lezhë dhe të gjithë vendin. I kërkojmë Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të veprojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë. Çdo vonesë, heshtje apo tentativë për të relativizuar raste të tilla vetëm sa rrit mosbesimin e qytetarëve tek institucionet dhe inkurajon klimën e pandëshkueshmërisë”, shkruhet në postimin në rrjetet sociale.
Toma u dhunua teksa udhëtonte me makinë nga Tirana drejt Lezhës. Persona të maskuar, ende të paidentifikuar i zunë pritë dhe e rrahën në autostradën Laç-Mamurras, pranë kryqëzimit të Sanxhakut. Ai ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë ku gjendet dhe sot me dëmtime në dy këmbët dhe në njërin vesh. Më herët Toma ka qenë zyrtar i bashkisë, madje i dënuar bashkë me ish-kryebashkiakun Fran Frrokajn për tokat në bregdet.
Deputeti lihet jashtë mbledhjes/ Dega e PS te Njësia 5 i mbyll derën Braçes
Erion Braçe është lënë sot jashtë një mbledhje të mbajtur nga dega e Partia Socialiste në Njësinë 5. Braçe është deputeti i asaj zone, por si duket pas kritikave, nuk preferohet të jetë i pranishëm.
Ka qenë vetë Braçe që ka folur në media, ku ka deklaruar se e kanë lënë jashtë mbledhjes.
“Fjala bie, tani është duke u bërë një mbledhje në njësinë pesë. Deputeti s'ishte njoftuar fare. Atje është udhëheqësja politike e Partisë Socialiste të Tiranës, bashkë me një deputet tjetër që është deleguar atje si drejtues politik. Ndërkohë që deputeti që është përballë me ata njerëz, ka punuar me ata njerëz, ka bërë fushatë me ata njerëz, ka marrë votën e atyre njerëzve atje, s'është njoftuar fare për mbledhjen. Dhe në krahun tjetër, vetëm 30 metra në vijë ajrore, deputeti që nuk shet ajër, po deputeti që bën deputetin në territor, ka katër ditë që ka lajmëruar që tubacionet e ujit janë çarë, uji rrjedh rrugëve, ka lajmëruar drejtorin. Jo ndërmarrjen, jo te numri i përgjithshëm që është për qytetarët, por ka lajmëruar vetë drejtorin. Dhe prej katër ditësh atje vazhdon të rrjedhë uji lum, ndërkohë që e gjithë ajo lagje është lagja që ka vuajtur vjet në verë nga uji. Pra, edhe pse ndodh kjo, edhe pse përjashtohet deputeti nga një mbledhje partie, ku duhet të jetë se me thënë të drejtën, pas ca ditësh do marrim edhe medalje ne që kemi shumë kohë që jemi në Partinë Socialiste. Është 35 vjetori i partisë”, tha ai në Euronews Albania.
Drejtuese politike e Tiranës është Ogerta Manastirliu, ndërsa si drejtues të Njësisë 5 janë Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Taulant Balla. Por si duket Braçes i është mbyllur dera.
Gjatë fjalës së tij, Braçe u shpreh se është normale që të ketë debate që lidhen me mënyrën e ushtrimit të pushtetit.
Sipas tij këto debate nuk shkaktojnë dhe nuk duhet të shkaktojnë asnjë shqetësim. Ai u shpreh se prej kohësh në grupin e PS nuk bëhen më diskutime, por ligjet thjesht sillen sa për sy e faqe.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje