Përfaqësues të familjeve që preken nga projekti TID janë rikthyer paraditen e kësaj të marte përpara Bashkisë së Durrësit, ku kanë kërkuar një takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, por sipas tyre, institucioni nuk u ka hapur dyert.
Shkak për reagimin e banorëve është bërë ndryshimi në projektin për restaurimin e objekteve të kultit, konkretisht të kishës katolike, e cila më herët ishte parashikuar për t’u shembur. Sipas banorëve, ky zhvillim i ka shtyrë të kërkojnë më shumë informacion dhe transparencë për vijimin e projektit.
Me një kërkesë të firmosur nga 20 familje, ata i janë drejtuar autoriteteve vendore duke kërkuar sqarime mbi projektin dhe procedurat që po ndiqen, ndërsa kanë theksuar se do të vazhdojnë kundërshtimin ndaj prishjes së banesave të tyre.
Banorët pretendojnë se projekti po mbivendoset mbi historinë e qytetit për t’u zëvendësuar me ndërtime të larta.
Përfaqësuesit e tyre kërkuan sërish takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, por deklarojnë se edhe këtë herë nuk morën përgjigje nga bashkia.
“Është më e thjeshtë të takosh përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare se kryebashkiaken Sako”, deklarojnë banorët mes të tjerash të revoltuar, teksa theksojnë se “do të kundërshtojnë prishjet e banesave”.
Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi, deklaroi se projekti TID vijon të jetë në proces dhe se çdo rast do të verifikohet, si për vlerën e pronës, ashtu edhe për procedurat e ndjekura.
Lini një Përgjigje