Prokuroria e Posaçme ka paraqitur konkluzionet përfundimtare për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe ndërtuesin Rrok Gega.
Prokurori i çështjes, Bledar Maksuti, kërkoi dënimin e Islamajt me 3 vite burg, me kërkesën që dënimi të konvertohet në 4 vite shërbim prove. Për ndërtuesin Rrok Gega, SPAK kërkoi 1 vit burg, me kusht që të konvertohet në 2 vite shërbim prove.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Zyra Islamaj akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Rrok Gega për “korrupsion aktiv”.
Çështja lidhet me një procedurë tenderuese, ku sipas SPAK, ish-drejtuesja e Bashkisë Tropojë i kishte kërkuar ndërtuesit Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, edhe pse kjo ndërhyrje nuk ishte e parashikuar në kontratën e tenderit.
Prokuroria pretendon se Islamaj ka ushtruar ndikim ndaj ndërtuesit dhe ka angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki për realizimin e punimeve.
Megjithatë, ura nuk është ndërtuar, fakt që ka sjellë debat gjatë procesit gjyqësor. Deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Asllan Dogjani Hoti, Xhelal Mziu dhe Bledjon Nallbati, të cilët kanë bërë kallëzimin, u pyetën nga mbrojtja se përse denoncuan një veprim që nuk ishte realizuar.
Sipas tyre, verifikimi i faktit penal ishte përgjegjësi e Prokurorisë së Posaçme dhe jo e kallëzuesve.
Lini një Përgjigje