Kryebashkiaku i Tiranës pretendon se nuk ka pasur vendimmarrje kolegjiale për kërkesën e tij ndaj prokurorit
Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kundërshtuar mënyrën se si është trajtuar kërkesa e tij për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado.
Sipas dokumentit, Veliaj pretendon se çështja nuk është shqyrtuar nga KLP si organ kolegjial, por është trajtuar vetëm nga nënkryetari i institucionit, Erind Gërmenji.
Në kërkesë thuhet se gjatë procesit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë është konstatuar mungesa e një vendimmarrjeje kolegjiale nga KLP për këtë rast.
Veliaj i referohet shkresës me nr. 413/3 prot., datë 11 mars 2025, të firmosur nga Gërmenji, ku sipas tij deklarohet se “KLP shqyrtoi kërkesën”. Ai pretendon se kjo nuk përputhet me procedurën reale të ndjekur nga institucioni.
Në dokument argumentohet se ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” i jep vetëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë të drejtën për të marrë vendime mbi përfundimin e statusit të një magjistrati.
Për këtë arsye, Veliaj e konsideron shkresën e firmosur nga nënkryetari të pavlefshme, duke argumentuar se mungon një vendim formal i organit kolegjial.
Kryebashkiaku ngre dyshime edhe për përfaqësimin e KLP-së në procesin gjyqësor. Sipas tij, përfaqësuesja ligjore e institucionit është paraqitur në gjykatë pa një mandat të miratuar nga Këshilli.
Veliaj u kërkon anëtarëve të KLP-së të sqarojnë nëse kanë qenë në dijeni që Erind Gërmenji ka marrë personalisht në shqyrtim dhe ka vendosur për çështjen që lidhet me statusin e prokurorit Ols Dado.
Reagimi i Veliajt vjen në një kohë kur në Gjykatën Administrative po shqyrtohet mënyra se si Ols Dado është emëruar Prokuror, pa pasur shkollën e Magjistraturës. Veliaj shprehet se karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin.
Në seancën në Administrative, Veliaj dhe avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca thanë se KLP po përpiqet të mbyllë procesin në rrugë procedurale në mënyrë që gjykata të mos e shqyrtojë themelin e çështjes.
“Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd. Sepse edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj”, vijon Veliaj.
“Duket sikur ka harmonizim institucional e duan të mbrojnë me çdo kusht Dadon. KLP është organi më i interesuar për të vërtetën, KLP duhej të bëhej me ne palë në padi për të verifikuar nëse Dado ushtron autoritetin në bazë të kushtetues. Ajo që thuhet në gjyq është fakti që këta kanë harmonizim për mbrojtën që i bëjnë Dados”, tha Ndreca, avokati i Veliajt. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje