
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për Shuip Camin, ndërsa shpalli fajtor Fluturim Bajramin për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve publikë.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur sot vendimin për çështjen penale ndaj Shuip Camit dhe Fluturim Bajramit, pas ankimeve të paraqitura nga të pandehurit dhe Prokuroria e Posaçme.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça, Dhimitër Lara dhe Iliriana Olldashi vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për të pandehurin Shuip Cami, ish-oficer i policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë.
Ndërkohë, Apeli ndryshoi pjesërisht vendimin për të pandehurin Fluturim Bajrami, duke e deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas vendimit të shpallur nga GJKKO, Bajrami u dënua me 1 vit e 3 muaj burgim. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u ul në 10 muaj burg.
Gjykata vendosi që dënimi të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më 12.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 25.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit Shuip Cami dhe ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 78, datë 27.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 78, datë 27.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin Shuip Cami, ish-oficer i policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë.
Ndryshimin e vendimit nr. 78, datë 27.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin Fluturim Bajrami, si më poshtë:
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Fluturim Bajrami, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal (para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 43/2021), duke e dënuar me 1 (një) vit e 3 (tre) muaj burgim.
– Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, dënimin përfundimisht të të pandehurit Fluturim Bajrami me 10 (dhjetë) muaj burgim.
– Vuajtja e dënimit të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Kujtojmë se më 27 Nëntor 2025, Shuip Cami ish oficer i Policisë Gjyqësore u shpall fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Ai u dënua me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 2 vite burgim. Gjykata vendosi gjithashtu ndaj tij heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Në të njëjtën çështje, Fluturim Bajrami u shpall i pafajshëm, pasi sipas gjykatës “fakti nuk përbën vepër penale”, në lidhje me akuzën e korrupsionit aktiv ndaj personave me funksione publik.
Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit për të pandehurit, kthimin e disa provave materiale pasi vendimi të marrë formë të prerë, si dhe ngarkimin e shpenzimeve të hetimit dhe atyre gjyqësore ndaj Shuip Camit.
Lini një Përgjigje