TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 21:29

Mbyllet pas më shumë se 3 orësh protesta për Zvërnecin, qytetarët paralajmërojnë rikthimin nesër

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet pas më shumë se 3 orësh protesta për Zvërnecin,
Momente nga tensionet

Dita e katërt e mobilizimit u shoqërua me tensione, përplasje me policinë dhe marshim drejt Kryeministrisë.

Pas më shumë se tre orë e gjysmë tubim dhe marshim në qendër të Tiranës, është mbyllur protesta e katërt kundër projektit turistik në Zvërnec. Qytetarët dhe aktivistët që morën pjesë në tubim kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë edhe nesër, duke konfirmuar se kundërshtimi ndaj projektit nuk do të ndalet.

Protesta e sotme nisi në Sheshin “Skënderbej” dhe u shoqërua me tensione që në orët e para. Në zonën e Urës së Lanës, policia kishte vendosur gardhe metalike dhe forca të shumta sigurie, duke argumentuar se masat ishin marrë në kuadër të planit të sigurisë për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael.

Kjo solli përplasje me protestuesit, të cilët e konsideruan bllokimin si një përpjekje për të penguar marshimin drejt Kryeministrisë. Për disa minuta situata u tensionua, ndërsa në zonë u afruan edhe automjetet e policisë që hidhnin ujë.

Megjithatë, nën presionin e turmës, policia u tërhoq nga perimetri i sigurisë, hapi gardhet metalike dhe lejoi vijimin e marshimit drejt Kryeministrisë. Tërheqja e forcave të rendit u prit me brohoritje nga protestuesit, të cilët e konsideruan këtë një fitore të protestës së tyre.

Gjatë tubimit para Kryeministrisë, qytetarë të shumtë mbajtën fjalime kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisë, ndërsa kërkuan anulimin e investimit që sipas tyre cenon një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.

Protesta u mbyll në mbrëmje në mënyrë paqësore, pas më shumë se tre orë e gjysmë qëndrimi në qendër të kryeqytetit. Organizatorët dhe pjesëmarrësit njoftuan se do të rikthehen sërish nesër, duke vijuar mobilizimin kundër projektit turistik në Zvërnec.

 

protesta

Lini një Përgjigje