TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 20:17

Vijon prej 2 orësh protesta, qytetarët mesazh Ramës: Anulo Zvërnecin dhe përballu me drejtësinë

Shkruar nga Pamfleti

Vijon prej 2 orësh protesta, qytetarët mesazh Ramës: Anulo

Prej më shumë se dy orësh, qytetarët vijojnë tubimin para Kryeministrisë në kundërshtim të projektit për ndërtim në Zvërnec.

Mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë refuzuar sërish çdo mundësi dialogu apo negociate me qeverinë, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për anulimin e projektit.

Gjatë protestës nuk kanë munguar as reagimet ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit. Në një dalje për mediat, Rama u shpreh se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen dhe që qytetarët të zgjidhnin vetë kryeministrin që dëshironin, duke shtuar se më pas do të tërhiqej në “katund”.

Kjo deklaratë u komentua me ironi nga protestuesit. Një prej qytetarëve që mori fjalën para Kryeministrisë deklaroi se, përpara se të flasë për dorëheqje, Rama duhet të anulojë projektin në Zvërnec dhe të përballet me drejtësinë.

“Ai tha që është gati të japë dorëheqjen dhe të shkojë në katund. Por fillimisht duhet të anulojë projektin, të japë llogari para drejtësisë dhe pastaj të shkojë ku të dojë. Ali Asllani ka thënë: ‘Koha është e maskarenjve, por Shqipëria e shqiptarëve’”, u shpreh protestuesi.

Tubimi po vijon para Kryeministrisë, ndërsa pjesëmarrësit mbeten të vendosur në kërkesën e tyre për ndalimin e projektit në Zvërnec.

Në kor, protestuesit artikuluan një sërë sloganesh, mes tyre thirrje për dorëheqje të qeverisë, akuza ndaj klasës politike dhe kundërshtim të projektit që po zhvillohet në zonën e mbrojtur. Në protestë u dëgjuan gjithashtu sloganet: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Opozitë e shitur” dhe thirrje të tjera drejtuar figurave politike.

rama thirrje dialog tubim zvërnec protestues

Lini një Përgjigje