TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 20:09

Protesta për projektin e Zvërnecit, Ilir Kulla: Reagimi i qytetarëve pasojë e pakënaqësive të grumbulluara ndër vite!

Shkruar nga Pamfleti

Protesta për projektin e Zvërnecit, Ilir Kulla: Reagimi i

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla ka deklaruar se kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec erdhi si një reagim i akumuluar i qytetarëve ndaj politikës dhe mungesës së përfaqësimit.

I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, Kulla theksoi se protesta nuk është produkt i ndikimeve të jashtme, por pasojë e pakënaqësive të grumbulluara ndër vite. Sipas tij, projekti i Zvërnecit ka shërbyer si “pika që derdhi gotën”, në një moment kur, sipas tij, qytetarët ndihen të përjashtuar nga proceset politike dhe vendimmarrëse.

Kulla theksoi se, pavarësisht rëndësisë së projekteve zhvillimore, transparenca mbetet thelbësore. Ai kritikoi mungesën e informacionit publik për projektin në Zvërnec, duke argumentuar se deri më tani nuk ka pasur një proces të qartë dhe transparent për qytetarët.

Kulla kritikoi gjithashtu klasën politike shqiptare, duke akuzuar si mazhorancën ashtu edhe opozitën për mbylljen e sistemit ndaj zërave të rinj dhe përjashtimin e alternativave të tjera politike. Sipas tij, kjo ka ndikuar në rritjen e pakënaqësisë qytetare dhe në daljen e njerëzve në protestë.

Në përfundim, ai argumentoi se zhvillimi ekonomik dhe projektet e mëdha investuese duhet të ecin paralelisht me transparencën, llogaridhënien dhe kujdesin ndaj problemeve sociale, duke theksuar se një pjesë e qytetarëve vijojnë të përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.

Pjesë nga intervista:

- Tani, duke qenë se gjithë Shqipëria po zien për protestën që ka disa ditë që duket se ka ngritur në këmbë të paktën rininë, ata që po protestojnë thuajse çdo ditë përpara Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, me kauzë zyrtare investimin e paralajmëruar në zonën e Zvërnecit. Si fillim, një koment i përgjithshëm, si e sheh këtë protestë? Dhe së dyti, do doja të dija prej teje, a sheh elementë, qoftë të brendshëm apo të jashtëm, që e kanë simuluar, kanë ndihmuar në organizim, e fryjnë këtë protestë sikurse po flitet çdo ditë në mediat e Tiranës, por jo vetëm... apo kemi të bëjmë me një derdhje, po themi, të gotës, shërbeu pika e Zvërnecit për këtë gjë dhe tani njerëzit po shfryjnë ndaj gjithë pakënaqësive që kanë me pushtetin apo edhe me të gjithë këtë klasë politike ndaj së cilës nuk shohin asnjë fije shpresë?

Ilir Kulla: Mendoj që kemi të bëjmë me këtë të fundit, me pikën që ka derdhur gotën. Në vetvete, Zvërneci është një nga ato shumë projekte të mëdhaja turistike që... dhe jo vetëm turistike, ndërtime që janë propozuar dhe kanë ecur përpara në këto vitet e fundit. Ku sigurisht merr më shumë vëmendje sepse edhe për shkak të publicitetit të bërë nga vetë Kryeministri për arsye të tjera politike, kemi një përfshirje, deri tani gjysmë direkte por një përfshirje, të familjes Trump. Por nuk do gjykoj Zvërnecin në vetvete. Për mua çdo projekt zhvillimor është një projekt i rëndësishëm që duhet bërë dhe duhet bërë mirë. Dhe pikërisht pse duhet bërë mirë, është e domosdoshme transparenca. Dhe sot e kësaj dite që ne flasim, nuk ka asnjë proces transparent tek Zvërneci. Por përtej kësaj, te Zvërneci, publikisht, pra për herë të parë, ne kemi një përzierje të drejtpërdrejtë të tre elementëve me të cilët Shqipëria vitet e fundit është vazhdimisht nën akuzë dhe që gjeneron probleme publike. Cilat janë? Përfshirja e njerëzve me rekorde kriminale, dhe e kemi në këtë rast. E oligarkisë vendase, dhe e kemi në këtë rast. E politikës, sepse është një projekt që nuk e sulmon dot as opozita dhe as pozita, dhe e kemi në këtë rast. Në kushtet që nga 2008-a e sot, partitë politike kanë vendosur të monopolizojnë sistemin politik në mënyrë të egër, pra pa lejuar palë të treta të futen aty, do vinte një moment që pika e gotës do derdhej. Sepse është një moment interesant për Shqipërinë. Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e zhvilluar, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq afër me letrat të paktën me Bashkimin Europian, por asnjëherë më parë qeverisja nuk ka qenë kaq larg njerëzve, njerëzve të vërtetë, realë, atyre që janë në territor. Shiko, unë dje isha në varrimin e babait të Ilir Metës në fshatin Çepan të Skraparit, një nga zonat më të largëta të Shqipërisë.

Mund të them me gojën plot, që sa kalon Poliçanin e andej, nuk sheh varfëri, po sheh mjerim. Pra, nëse në një anë ne do ecim me variantin që na duhen projektet e mëdhaja, projektet zhvillimore e të tjerë, të cilat realisht na duhen... që do mbrojmë biznesin, nuk mund t'i sulmojmë me fjalën oligark sepse ata janë biznesmenë, prodhojnë, paguajnë taksat e të tjera... që edhe kjo është e vërtetë. Në anën tjetër, ne nuk mund të kemi luksin që të harxhojmë lekët që mbledhim nga taksat dhe tatimet për, po t'i quaj, me fjalën tangërllëqe elektorale, dhe të lëmë një pjesë të popullsisë në mjerim. Dhe këta njerëz aty që kanë dalë në shesh, realisht nuk i ka nxjerrë as Greqia, as Turqia, as Izraeli se ç'punë ka Izraeli shkretë në këtë mes se lë akoma s'e kam kuptuar... po këta njerëz i ka nxjerrë saktësisht Edi Rama dhe Sali Berisha, me mënyrën unike se si kanë përjashtuar shumicën e vendit nga sistemi i jetesës politike në vend. Më të fundit e ke pikërisht ditën që filloi protesta. Të shtunën që shkoi. Çfarë ndodhi? U mblodh Kuvendi i Rithemelimit të PD-së dhe prodhoi listat e Rithemelimit. Besoj i ke parë listat. Ka personazhe që janë aty që në vitin 1990. Se mirë që s'ikën Berisha, po s'ikin as këta të tjerët? Duke përjashtuar në çdo lloj forme çdo lloj zëri kundër... dhe duke thënë që kush është me Ervin Salianjin është jashtë partisë. Unë s'dua të mbroj Ervin Salianjin se nuk më intereson fare... por mënyra, sistemi se si kanë zgjedhur... është ai që i ka nxjerrë njerëzit në shesh. Do ndodhte diçka, sepse ne jemi të ngjashëm me popujt arabë. Të kujtohet ku filloi Pranvera Arabe? Një tregtar i vogël frutash që i shkon policia dhe ia prish atë në Tunizi, dhe ai djeg veten para kamerave. Në këtë rast kemi një polici private që tërheq zvarrë një nga protestuesit atje, dhe pastaj mirë që i tërheq zvarrë këta, po shkon i bën agresion dhe policisë, me spraj e të tjera. Pra Policisë së Shtetit, uniformave të shtetit. Tani në kushte normale, në një vend normal si Italia çfarë do ndodhte? E para e punës... do jepte dorëheqjen Ministri i Brendshëm... Ose në qoftë se s'do bënte këtë gjë, do fillonte në mënyrë strikte, të shpejtë, investigimi se si ka ndodhur që badigardi i njërit nga këngëtarëve më me emër në botën e folkut në Shqipëri, pajiset dhe bëhet edhe polici private. Se nuk mjafton heqja e liçencës. Problemi është të shkojmë të shohim se si u bë kjo gjëja. Pra me cilin variant kriminal është bërë kjo gjë? Përtej që ne kemi parë atë këngëtarin të bëjë fushatë për partinë në pushtet disa herë e të tjerë, po kjo s'përbën ndonjë lajm. Po mënyra se si, sepse ka një ligj të posaçëm se si bëhesh me polici private.

Se si pajisen njerëzit me armatim, se si bëhet stërvitja, ku shkojnë, në cilin poligon, nga kanë ardhur paratë. Pra këtë gjë nuk ka nevojë Ministria e Brendshme ta presë nga SPAK-u, këtë e bën vetë. U anullua liçenca, shumë mirë. Të shkosh të hetosh si iu dha liçenca? Dhe t'i thuash publikut, më falni, kemi bërë një gabim, po ja ku është. Dhe do verifikojmë gjithë të tjerët... Ke dëgjuar asgjë nga këto ti? Asgjë. Na doli vetëm një komunikim i Drejtorit të Përgjithshëm i cili reagoi tha ia heqim liçencën këtyre, turp policia, dhe pezullova dhe drejtorin e Vlorës. Jo shumë pak. Sepse atëherë lind pyetja: nëse ti projektin më të rëndësishëm ekonomik për investimet e huaja që është ky i Zvërnecit, e paske lënë në dorë të pesë banditëve kështu... Atëherë çfarë duhet të marrim të mirëqenë? Ke lënë shtetin në dorë të banditëve? Apo që ky projekt nuk është kaq i rëndësishëm sa thoni? Sepse po të jetë kaq i rëndësishëm ky projekti, edhe përzgjedhja e atyre që do bëjnë sigurinë, edhe niveli i strategjisë për transparencë duhet të jetë i këtyre lloj niveleve. Nuk ndodh në vendet përreth.

Lini një Përgjigje