Protesta kundër projektit turistik në Zvërnec po vijon para Kryeministrisë, ku qytetarët dhe aktivistët kanë mbajtur fjalime kundër qeverisë dhe investimit të planifikuar në zonën e mbrojtur të Vlorës.
Një prej protestuesve ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përçan qytetarët dhe po injoron ata që nuk e kanë mbështetur me votë.
Nga podiumi i protestës, ai tha se shqiptarët janë lodhur nga qeverisja aktuale dhe se kreu i qeverisë nuk mund të ndajë qytetarët sipas bindjeve politike.
“I ke lodhur shqiptarët sa që tani e vetmja punë që di të bësh është të na shkatërrosh. Tha diçka tjetër sot, ‘u drejtohem vetëm atyre që më kanë votuar’. I pacipë! Çfarë të dukemi ne, dele? Ne jemi shqiptarë”, deklaroi protestuesi.
Deklarata e tij u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit në tubim, të cilët vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë në ditën e katërt të mobilizimit kundër projektit në Zvërnec.
Gjatë protestës nuk kanë munguar as thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesat për anulimin e investimit, të cilin protestuesit e konsiderojnë të dëmshëm për mjedisin dhe interesin publik.
Tubimi po vijon normalisht, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se kundërshtimi ndaj projektit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje