Tensionet diplomatike mes Iranit dhe Libanit janë rritur pas deklaratave të presidentit libanez Joseph Aoun, i cili akuzoi Teheranin se po e përdor vendin e tij si një mjet negociues në përballjen me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Në një intervistë për "CNN", Joseph Aoun kritikoi ashpër politikën iraniane, duke deklaruar se veprimet e Teheranit nuk përputhen me interesat dhe dëshirat e popullit libanez.
Deklaratat e presidentit libanez morën një reagim të menjëhershëm nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi. Teksa ka komentuar intervistën, ai hodhi poshtë pretendimet se Libani po përdoret si instrument negociues nga Teherani.
“Nëse Libani do të kishte qenë një mjet negociues për Iranin, ne do të kishim arritur një marrëveshje shumë kohë më parë”, u shpreh Araghchi.
Diplomati iranian i bëri gjithashtu thirrje presidentit libanez që të përqendrohet te ajo që ai e quajti “armiku i vërtetë”, duke iu referuar Izraelit. Komentet vijnë në një kohë kur Izraeli ka intensifikuar operacionet ushtarake kundër Hezbollahut në Libanin jugor.
Nga ana tjetër, Aoun theksoi se është i vendosur të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur Libanin nga përshkallëzimi i konfliktit. Ai deklaroi se qytetarët libanezë janë lodhur nga përplasjet e vazhdueshme mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani që prej vitesh luan një rol të rëndësishëm në skenën politike dhe ushtarake të vendit.
Lini një Përgjigje