Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka sqaruar vendosjen e gardhit metalik në zonën e Urës së Lanës, ndërsa në Tiranë po zhvillohet protesta e katërt kundër projektit turistik në Zvërnec.
Në një deklaratë për mediat, Hita tha se masa lidhet me planin e sigurisë për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael dhe jo me protestën e qytetarëve.
“Kjo zonë është zonë sigurie për ndeshjen Shqipëri-Izrael. Prandaj është marrë kjo masë. Janë masa sigurie që merren në çdo ndeshje dhe nuk mund të bëjmë ndryshime sot”, deklaroi Hita.
Vendosja e gardhit metalik ka tërhequr vëmendjen e protestuesve, pasi barriera është ngritur në itinerarin që të çon drejt zonës së Kryeministrisë. Megjithatë, sipas Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për masa standarde sigurie që zbatohen në kuadër të organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare dhe aktiviteteve me risk të shtuar.
Ndërkohë, protesta kundër projektit në Zvërnec ka vijuar për të katërtën ditë radhazi, me qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë ndalimin e investimit të planifikuar në zonën bregdetare të Vlorës. Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas kanë nisur marshimin drejt institucioneve qendrore.
Lini një Përgjigje