TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 16:12

Pas denoncimeve, AKU publikon rezultatet e analizave: Plehu Ure rezulton konform standardeve

Shkruar nga Pamfleti

Pas denoncimeve, AKU publikon rezultatet e analizave: Plehu Ure rezulton konform

AKU ka bërë të ditur se produkti plehërues inorganik Ure që tregtohet në Shqipëri rezulton në përputhje me standardet ligjore dhe parametrat e cilësisë, pas kontrolleve dhe analizave laboratorike të kryera në të gjithë vendin.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, verifikimet u ndërmorën pas një sërë denoncimesh dhe pretendimesh se produkti kishte përmbajtje azoti më të ulët se ajo e deklaruar në etiketë, si dhe mospërputhje në ngjyrë, formë dhe përmbajtje.

Në kuadër të kontrolleve, inspektorët ushtruan verifikime në subjektet që merren me importimin, magazinimin dhe tregtimin me shumicë e pakicë të plehut Ure. Nga kontrollet në terren rezultoi se produkti është i regjistruar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Gjithsej u morën 15 mostra për analizim laboratorik pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë. Rezultatet treguan se përqindja e azotit në të gjitha mostrat ishte në përputhje me vlerat e deklaruara në etiketë, ndërsa edhe treguesit fizikë të produktit rezultuan konform standardeve ligjore.

AKU thekson se do të vijojë monitorimin dhe kontrollet në terren për garantimin e cilësisë së inputeve bujqësore, ndërsa u bën thirrje fermerëve të raportojnë çdo rast të dyshuar për shkelje apo abuzim.

"Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të Informimit të Publikut dhe Transparencës, referuar denoncimeve për tregtim të produktit plehërues inorganic Ure, me përqindje të azotit më të ulët se atë të deklaruar në etiketë, përmbajtje dhe ngjyrë në shkelje të ligjit 17/2020 “Për produktet plehërues”, si dhe pretendimeve që nuk janë të regjistruara, ka kryer kontrolle në të gjitha subjektet me aktivitet importin, magazinimin, tregtimin me shumicë/pakicë të këtij produkti.

Nga verifikimet e kryera në terren rezultoi se produkti plehërues inorganic Ure, që tregtohet në vendin tonë është i regjistruar.

Gjatë kryerjes së kontrolleve në këto subjekte janë marrë gjithsej 15 mostra, të cilat janë dërguar për analizim të treguesve cilësorë (konkretisht të përmbajtjes në përqindje të azotit) pranë laboratorit të analizimit të produkteve plehëruese në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Fushë-Krujë.

Bazuar rezultati të analizave të 15 mostrave, përqindja e azotit në këto produkte ka rezultuar konform përqindjes së deklaruar në etiketë, si dhe treguesve fizikë të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet në gatishmëri të plotë të kontrolleve në terren për garantimin e sigurisë ushqimore dhe i bën thirrje fermerëve të denoncojnë çdo rast dyshimi për abuzim me imputet bujqësore", njoftoi AKU.

autoriteti kombëtar i ushqimit pleh kimik

Lini një Përgjigje