TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 13:58

Dash Sula urdhër inspektorëve: Të marrin fund 'kafet' për shefin! 

Shkruar nga Pamfleti
Dash Sula urdhër inspektorëve: Të marrin fund 'kafet'
Dashnor Sula

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, zhvilloi paraditen e së mërkurës një trajnim me trupat inspektuese të gjashtë inspektorateve rajonale të Qarkut Durrës.

Gjatë fjalës së tij, Sula vuri theksin te rëndësia e Qarkut të Durrësit, veçanërisht në sezonin turistik, kur numri i banorëve dhe vizitorëve rritet disa herë. Ai kërkoi nga inspektorët që të ushtrojnë detyrën me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke theksuar se puna e tyre reflekton drejtpërdrejt funksionimin e institucioneve shtetërore në terren.

“S’mund t’i bësh të gjitha, edhe politikan, edhe inspektor, edhe kryeinspektor, edhe gangster, edhe hajdut edhe imoral. Jo, o përmbush detyrën, ose shko në privat bëj punën tate. Je i lirë më pas, qytetar i lirë. Ne jemi fytyra e përditshmërisë së qeverisë. Kryeministrin Rama apo qeverinë nuk e kontrollon njeri, ata më kontrollojnë mua, unë poshtë, tjetri poshtë deri tek ju. Por ama kryeministri dhe qeveria kontrollohen një herë në 4 vite, pikërisht nga qytetarët shqiptarë, pikërisht nga vota e qytetarëve”, tha Sula.

Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm deklaroi gjithashtu se duhet të marrë fund praktika e inspektorëve që ushtrojnë presion ndaj bizneseve apo kërkojnë favore të paligjshme gjatë kontrolleve.

Nga Durrësi, ai njoftoi se më 11 qershor do të vihet në funksion platforma www.sigurt.gov.al, si edhe një linjë e gjelbër telefonike, përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi të raportojnë në mënyrë anonime shkelje apo abuzime të konstatuara në subjekte private.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, si dhe drejtuesit e këtyre institucioneve. 

inpektori i pergjithshem dashnor sula

Lini një Përgjigje