TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 09:50

Zhvatën 200 mijë euro të klientëve, arrestohet drejtori dhe zv.drejtori i 'UBA Bank', masa sigurie edhe për 10 punonjës të tjerë 

Shkruar nga Pamfleti
Zhvatën 200 mijë euro të klientëve, arrestohet drejtori dhe
UBA Bank

Një hetim i Prokurorisë së Tiranës ka nxjerrë në dritë një skemë të dyshuar vjedhjeje dhe manipulimi dokumentesh në një nga degët e UBA Bank, duke çuar në ekzekutimin e 12 masave të sigurisë ndaj punonjësve të institucionit financiar.

Mes personave të arrestuar janë drejtori i degës, Gilbert Hoxha, dhe zv.drejtori Albin Keta, për të cilët gjykata ka vendosur masën “Arrest në burg”. Ndërkohë, për 10 të dyshuar të tjerë janë caktuar masa më të lehta, si “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim nga detyra”, në kuadër të hetimeve për veprat penale të vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe manipulimit të të dhënave kompjuterike.

Çështja nisi pas denoncimit të një klienti të bankës, i cili pretendoi se nga llogaritë e tij ishin tërhequr rreth 500 mijë lekë pa dijeninë dhe autorizimin e tij. Më pas, edhe vetë banka raportoi një rast të ngjashëm që lidhej me llogarinë e një klienteje tjetër.

Sipas hetimeve paraprake, nga llogaritë e klientëve janë kryer të paktën 30 tërheqje të parregullta, ndërsa janë evidentuar edhe raste të hapjes dhe mbylljes së depozitave në euro dhe dollarë pa miratimin e mbajtësve të tyre.

Deri tani, dëmi ekonomik i dokumentuar nga grupi hetimor llogaritet në mbi 200 mijë euro.

Nga materialet e administruara rezulton se drejtuesit e degës dyshohet se kanë shfrytëzuar aksesin në sistemin bankar për të kryer veprime të kundërligjshme, përfshirë përdorimin e mandateve të rreme të tërheqjes, konvertime valutore të paautorizuara, si dhe ndryshime të të dhënave të klientëve. Hetuesit dyshojnë se këto veprime janë realizuar në bashkëpunim me punonjës të tjerë që ushtronin funksione si arkëtarë, supervizorë dhe specialistë të shërbimit ndaj klientit.

Sipas prokurorisë, skema funksiononte në disa nivele. Punonjësit me akses të drejtpërdrejtë në llogaritë e klientëve kryenin ndërhyrjet dhe transaksionet, ndërsa procesi verifikohej dhe autorizohej nga drejtuesit përgjegjës të degës, të cilët kishin detyrimin ligjor për kontrollin dhe miratimin e çdo veprimi bankar.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë individuale të secilit prej të dyshuarve dhe për të dokumentuar plotësisht dëmin e shkaktuar ndaj klientëve dhe institucionit financiar.

"Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u dhanë 12 masa sigurimi, ‘Arrest në burg’, ‘Arrest në shtëpi’ si dhe ‘Pezullimi i shërbimit të një detyre a shërbimit publik’ ndaj 12 shtetasve të akuzuar për veprat penale ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’ parashikuar nga nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.7108 të vitit 2025, nisën pas denoncimit të shtetasit I.O., se nga tre llogaritë e tij janë tërhequr shuma me një vlerë prej 500.000 lekësh nga persona të pa autorizuar. Ndërkohë që një tjetër kallëzim u krye nga vetë banka, e cila denoncoi rastin për tërheqjen e shumave pa autorizim ndaj klientes A.K në të njëjtën degë.

Nga hetimet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u evidentua se nga klientët e bankës, janë kryer 30 tërheqje pa mandat si dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim disa depozita me afat në euro dhe dollarë.

Në rastin konkret nga hetimet rezultoi se ndaj personave në hetim, shtetasit E.Q., I.D., E.K., B.M., A.K., G.H., G.B., D.D., O.K., R.S. B.N. dhe Zh.B. ekziston dyshim i arsyeshëm se janë autorë të mundshëm të veprave penale penale ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’ parashikuar nga nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal.

Shtetasit A.K. dhe G.H., zv.drejtor dhe drejtor i degës, ndaj të cilëve u kërkua masa e siguisë ‘Arrest në burg’, rezultoi se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar, ata kanë përvetësuar shumat monetare të dy kilentëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, pa mandat, ndëhyrjes së kundërligjshme në sistem nëpërmjet konvertimeve valutore, hapje/mbyllje depozitash si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim. Kjo skemë vjedhjeje e koordinuar krijon dyshim të arsyeshëm mbi konsumimin e veprës penale për të cilën janë në hetim. Këto veprime ata i kryen në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të bankës, në cilësinë e arkëtarit, supervizorit si dhe të shërbimit ndaj klientit.

Masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ u vendos për shtetasit G.B., D.D., O.K., R.S., B.N., dhe Zh.B., për kryerjen në mënyrë të përsëritur për veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin funksional në sistemin bankar, ata përvetësuan shuma monetare të dy klientëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false apo ndërhyrjes në sistem pa autorizimin e tij.

Kjo skemë përfitimi e realizuar nga punonjësit e bankës sipas funksionit, funksiononte sipas mekanizmit: arkëtar/shërbim klienti nëpërmjet aksesit eskluziv mbi fondet e klientit kryhen ndërhyrje dhe manipuluan sistemin bankar, veprime të cilat verifikohen dhe autorizohen nga niveli drejtues në hierarki, përgjegjës operacional dhe drejtor dege, të cilët kanë detyrimin për verifimin, kontrollin dhe autorizimin final për kryerjen e transaksionit bankar.

Në lidhje me shtetasit e tjerë në hetim, E.Q., I.D., E.K. dhe B.M., u kërkua dhe pranua masa e sigurimit personal ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për veprën penale ‘Falsifikimi kompjuterik’. Nga hetimi rezultoi se këta shtetas kanë kryer veprime dhe transaksione bankare në kushtet kur mungonte kontrata në një ose disa raste duke krijuar premisat për ushtrimin e veprimtarisë së jashtëligjshme të subjekteve të tjerë të sipërcituar të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë vjedhur pasurinë”, thuhet në njoftim.

skandali me uba bank

Lini një Përgjigje