TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 11:59

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Protestat në Tiranë/ Rama: Shqipëria do bëhet siç them unë, jo siç bërtisni ju

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë nga qytetarët që janë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Teksa ka nxjerrë me video intervistën e një qytetari që fyen dhe kërcënon me vdekje, kreu i qeverisë thekson se Shqipëria do të bëhet sipas vizionit që është votuar në shumicë nga qytetarët në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Dje paralelisht me orët e para të tubimit, Rama mbajti një takim me socialistët në Tiranë, në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.

Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë vijuar prej disa ditësh, që pas incidentit ku një protestues u dhunua në Vlorë nga punonjësit e kompanisë private të sigurisë që mbronin kantierin. Qytetarët kërkojnë ndalimin e projektit, pasi sipas tyre cenon zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës.

"Do na marrin turistët, duhet të shqetësohemi"/ Arsyeja që fshihet pas vëmëndjes së mediave greke për Zvërnecin

Projekti gjigant i Jared Kushner në Zvërnec dhe Pishë Poro nuk po diskutohet vetëm në Shqipëri. Në javët e fundit, ai ka zënë vend të rëndësishëm edhe në mediat greke, të cilat po e trajtojnë gjithnjë e më shpesh si një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë në ekuilibrat turistikë të rajonit.

Në një kronikë të transmetuar nga televizioni grek Star Channel, gazetarët e thonë hapur se pas interesit të madh për këtë projekt fshihet një arsye e fortë: konkurrenca! Sipas tyre, investimi prej mbi 4 miliardë dollarësh ka potencialin të transformojë bregdetin shqiptar dhe të tërheqë një kategori turistësh që deri më sot kanë zgjedhur destinacionet greke.

Mediat greke nuk po e fshehin shqetësimin se Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi turistik. Interesi i tyre nuk është mbrojtja e natyrës shqiptare, por ekonomia greke. Projekti i Kushner parashikon zhvillimin e një sipërfaqeje prej rreth 2.5 milionë metrash katrorë në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros, një investim që sipas analistëve mund të ndryshojë jo vetëm ekonominë lokale, por edhe balancat turistike.
Ndërkohë gazetari tjetër e shpreh qartë se ky investim është shumë i madh për ekonominë shqiptare dhe ky plan sjell shqetësim për ishujt grekë që ndodhen në detin Jon, si Korfuzi dhe Kefalonia.

Pikërisht ky është elementi që po dominon debatin në Greqi. Në kronikë përmenden ishuj si Korfuzi dhe Kefalonia, të cilët për dekada kanë qenë destinacione të konsoliduara turistike në rajon. Tashmë, me ardhjen e investimeve të mëdha ndërkombëtare në Shqipëri, po krijohet një konkurrent i ri që synon të tërheqë turistë me të ardhura të larta dhe investime luksoze.

Sa më shumë rritet potenciali i Rivierës shqiptare për të tërhequr kapital dhe turistë ndërkombëtarë, aq më shumë rritet edhe vëmendja e vendeve që deri më sot kanë dominuar tregun turistik në rajon.

Kjo është arsyeja pse debati për Zvërnecin ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Përtej diskutimeve mjedisore dhe politike, projekti po shihet gjithnjë e më shumë si një garë për të ardhmen e turizmit në Mesdheun lindor, ku Shqipëria po kërkon të zërë një vend që deri dje konsiderohej i rezervuar për destinacionet tradicionale të rajonit.

SPAK tërhiqet nga Zvërneci/ Lirohen llogaritë bankare të investitorëve nga Katari

Pas tre ditëve bllokim me kërkesë të SPAK, 195 milionë dollarë të destinuara për resortin në Zvërnec janë zhbllokuar.

SPAK ka liruar llogaritë që e vëllezërve miliarderë nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat. Megjithatë, mësohet se SPAK vijon hetimet për çështjen e pronësisë së tokës.

Më herët edhe kryeministri Rama doli kundër SPAK-ut dhe bëri thirrje që të mos bllokonte investitorët e huaj dhe që të vijonte hetimet për çështjet e pronësisë. SPAK sekuestroi edhe llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave në zonën e Zvërnecit.

Një nga administratorët e kompanisë, Redi Struga, i është nënshtruar kontrollit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), si pjesë e veprimeve hetimore që po zhvillohen nga SPAK. Hetimet dyshohet se lidhen me një mekanizëm të mundshëm për kalimin e pronave shtetërore në duar private.

Në qendër të hetimit përmendet Artur Shehu, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara. Sipas burimeve hetimore, ai dyshohet se ka pasur rol drejtues në skemën e pretenduar të tjetërsimit të pronave.
‘Albania Land Development’, rezulton të ketë blerë sipërfaqet e tokës mbi të cilën do të realizohet projekti. Ajo fillimisht, ishte në pronësi të Redi Strugës, i cili pasi e shiti, u emërua një nga tre administratorët e kompanisë, por me të drejtë të kufizuar të firmës.

Dosja “21 Janari”/ SPAK nisi në SHBA komunikimet e Gardës, familjarët skeptikë

Në kuadër të hetimeve për dosjen e masakrës së “21 janarit”, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për ekspertizë të gjithë materialin e komunikimit në radio në kanalin e Gardës së Republikës më 21 janar 2011 ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë qeverisjes Berisha.

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej 4 të vrarëve nga armët e shtetit, thotë se ky hap duhet të ishte marrë nga SPAK shumë kohë më parë, dhe të mos e mbanin kasetën në sirtar. Xhaxhai i Aleks Nikës dyshon se drejtësia shqiptare synon të mos dënojë shkaktarin e vërtetë të 4 vrasjeve shtetërore, por aktorë dytësorë në masakrën e 21 janarit 2011.

SPAK po heton 4 vrasjet e protestuesve në bulevard prej gati 2 vitesh, që prej 15 korrikut 2024 kur regjistroi çështjen pasi Gjykata e Lartë urdhëroi nisjen e hetimeve. Që nga ai momenti SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij. Ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu, pas një përpjekje të dështuar për të zvarritur dëshminë e tij, u paraqit në SPAK më 19 nëntor të vitit të kaluar. Që prej atij momenti asnjë zhvillim i ri nuk është komunikuar nga Prokuroria e Posaçme.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje