TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 18:40

Tensione në protestën për Zvërnecin, protestuesit çajnë kordonin e sigurisë; policia i sulmon me ujë

Shkruar nga Pamfleti
Tensione në protestën për Zvërnecin, protestuesit
Pamje nga protesta

Kaos gjatë protestës së katërt kundër projektit turistik. Forcat e rendit përdorin automjetet me ujë për të penguar avancimin e protestuesve.

Me tensione është shoqëruar protesta e katërt radhazi kundër projektit turistik në Zvërnec. Mijëra qytetarë u mblodhën edhe këtë pasdite në Tiranë për të kundërshtuar investimin, ndërsa përplasjet e para me policinë nisën në zonën e “Urës së Lanës”, ku ishte vendosur një gardh metalik në kuadër të masave të sigurisë për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael.

Protestuesit u nisën nga Sheshi “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë. Sapo mbërritën pranë perimetrit të sigurisë, një pjesë e tyre tentuan të kalojnë barrierat e vendosura nga policia. Pas disa minutash shtyrjesh dhe përplasjesh me efektivët, protestuesit arritën të çajnë gardhin metalik dhe të depërtojnë përtej kordonit të parë të sigurisë.


Situata u përshkallëzua me shpejtësi, ndërsa turma u nda në disa grupe të ndryshme. Në disa momente, policia hasi vështirësi në kontrollin e lëvizjeve të protestuesve, të cilët u shpërndanë në akse të ndryshme rrugore në përpjekje për t'u afruar pranë Kryeministrisë.

Një pjesë e protestuesve arritën deri në afërsi të godinës së Kryeministrisë, ku u përballën me forca të shumta policore dhe automjete të specializuara të Policisë së Shtetit. Për të penguar afrimin e tyre, policia përdori automjetet që hedhin ujë, ndërsa në zonë u vendos një perimetër i dytë sigurie.

Tensione në protestën për Zvërnecin, protestuesit

Gjatë gjithë protestës është vënë re një prezencë e lartë e forcave të rendit. Dhjetëra efektivë, mjete policore dhe struktura të ndërhyrjes së shpejtë janë angazhuar në terren, në një nga operacionet më të mëdha të sigurisë të ditëve të fundit në kryeqytet.

Tensione në protestën për Zvërnecin, protestuesit

Më herët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, sqaroi se vendosja e gardhit metalik nuk lidhej me protestën, por me masat e sigurisë të marra për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael.

Kjo zonë është zonë sigurie për ndeshjen Shqipëri-Izrael. Prandaj është marrë kjo masë. Janë masa sigurie që merren në çdo ndeshje dhe nuk mund të bëjmë ndryshime sot”, deklaroi Hita.

Protesta e sotme vjen në ditën e katërt të mobilizimit kundër projektit në Zvërnec, ndërsa qytetarët dhe aktivistët kanë paralajmëruar se kundërshtimi i tyre do të vijojë deri në tërheqjen e projektit. Ndërkohë, qeveria vazhdon ta mbrojë investimin, duke e konsideruar atë një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.

1 Komente

  1. w
    weq

    Ndeshja "miqesore"... Nuk ka miqesi me ta!

    Lini një Përgjigje