TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 20:44

Nga rezidenca shtetërore në hotele luksi, Rama i beson Elira Kokonës rijetëzimin e vilave qeveritare

Shkruar nga Pamfleti
Nga rezidenca shtetërore në hotele luksi, Rama i beson Elira
Projektet për rijetëzimin e vilave qeveritare & Elira Kokona

Korporata e Investimeve Shqiptare do të drejtojë projektin “Hospitality Albania”, që synon kthimin e rezidencave qeveritare të Vlorës dhe Velipojës në struktura luksoze turizmi. Institucioni është kritikuar më herët nga KLSH për mungesë procedurash, projekte pa analiza dhe menaxhim joefektiv të fondeve.

Qeveria i ka dhënë një tjetër rol kyç Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC), institucionit të drejtuar nga Elira Kokona, duke e ngarkuar me zbatimin e një prej projekteve më ambicioze për transformimin e pronave shtetërore në vend.

Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, Korporata është autorizuar të koordinojë procesin e identifikimit, konsolidimit dhe zhvillimit të pronave shtetërore për projektin “Hospitality Albania, Vlorë”, një nismë që synon të transformojë ish-rezidencat qeveritare në destinacione të turizmit elitar.

Bëhet fjalë për rezidencat qeveritare të Vlorës dhe Velipojës, prona që për dekada janë përdorur për pritjen e delegacioneve shtetërore, personaliteteve të huaja dhe aktiviteteve zyrtare. Sipas dokumenteve të projektit, këto struktura konsiderohen tashmë pasuri të pashfrytëzuara dhe me kosto të lartë mirëmbajtjeje për buxhetin e shtetit.

Pikërisht për këtë arsye, qeveria ka zgjedhur t'i nxjerrë ato nga funksioni tradicional dhe t'i kthejë në komplekse luksoze mikpritjeje, të orientuara drejt turistëve me të ardhura të larta, investitorëve dhe klientelës VIP. Në manifestin e projektit thuhet se rezidencat do të bashkëpunojnë me zinxhirë prestigjiozë hotelerie ndërkombëtare dhe do të pozicionohen si destinacione të turizmit elitar në Mesdhe.

Dokumenti parashikon që këto prona të mos funksionojnë më si rezidenca shtetërore, por si struktura komerciale me standarde të larta akomodimi, arkitekturë bashkëkohore, teknologji të gjelbra dhe shërbime ekskluzive. Sipas vizionit të paraqitur nga Korporata, projekti synon të krijojë një model të ri zhvillimi për pronat shtetërore, duke i kthyer ato në asete që gjenerojnë të ardhura.

Për realizimin e këtij projekti, qeveria i ka dhënë Korporatës kompetenca të gjera. Ajo do të koordinojë procesin me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe institucione të tjera publike, do të negociojë me subjektet private të përfshira në zonë dhe do të hartojë konceptin përfundimtar të zhvillimit urban.

Por ndërsa qeveria i beson një tjetër projekt strategjik Korporatës së Investimeve Shqiptare, vetë institucioni mbart një bilanc problematik sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në auditimin për periudhën 2019-2024, KLSH ka dhënë opinion të kualifikuar për Korporatën, duke evidentuar mangësi të shumta në funksionimin e saj. Sipas raportit, institucioni ka operuar për vite pa metodologji të plota për përzgjedhjen dhe zhvillimin e projekteve, pa manuale standarde dhe pa analiza të detajuara mbi riskun dhe përfitueshmërinë ekonomike.

Nga rezidenca shtetërore në hotele luksi, Rama i beson Elira
Elira Kokona

Audituesit konstatuan se një pjesë e projekteve të hartuara gjatë viteve 2022-2024 janë zhvilluar pa studime të plota fizibiliteti, pa analiza të impaktit ekonomik dhe pa vlerësim të qartë të rentabilitetit. Në disa raste, janë kontraktuar ekspertë të jashtëm dhe janë shpenzuar fonde publike për projekte që më pas nuk kanë vijuar më tej.

KLSH evidenton gjithashtu efekte negative në administrimin e fondeve publike në vlerën e afro 4 milionë lekëve, probleme në procedurat e rekrutimit, mungesë dokumentacioni, si dhe funksionimin për vite të Këshillit Mbikëqyrës me strukturë të paplotë.

Pavarësisht këtyre gjetjeve, Korporata e Investimeve Shqiptare mbetet institucioni që qeveria po përdor për të menaxhuar një pjesë të konsiderueshme të aseteve publike dhe projekteve të zhvillimit. Tashmë në duart e saj është edhe transformimi i ish-vilave qeveritare të Vlorës dhe Velipojës, prona që për dekada kanë qenë pjesë e inventarit shtetëror dhe që pritet të shndërrohen në një nga projektet më të mëdha të turizmit luksoz në vend. /Pamfleti

kokona vila qeveritare

Lini një Përgjigje