
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, duke komentuar protestat kundër projektit në Zvërnec, kërkoi nga qeveria dhe institucionet shtetërore që të reflektojnë dhe të dialogojnë me qytetarët që kanë dalë në shesh.
I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, kulla theksoi se transparenca është e domosdoshme, sidomos për një projekt që konsiderohet ndër më të rëndësishmit për investimet e huaja në vend.
Eksperti i sigurisë kritikoi edhe reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj protestës, duke i cilësuar si arrogante. Sipas tij, pikërisht kjo arrogancë ka ndikuar në rritjen e pakënaqësisë qytetare dhe ka nxitur më shumë njerëz të dalin në protestë.
Ai argumentoi se problemet nuk qëndrojnë vetëm te projekti i Zvërnecit, por te perceptimi i qytetarëve se shteti nuk po funksionon siç duhet. Në fund, Kulla paralajmëroi se protesta nuk duhet nënvlerësuar, duke theksuar se pakënaqësia e akumuluar mund të sjellë zhvillime të tjera nëse institucionet nuk reflektojnë.
Pjesë nga intervista:
Ilir Kulla: Tani unë nuk pres nga kryeministri të dali dhe të merret me protestuesit shesh, megjithëse po të ndodhte normale do ishte dhe kjo.
-Jo, e ka bërë.
Ilir Kulla: Po jo të dali vetë aty, po përtej kësaj. Po nga kryeministri dhe ministri unë pres që shumë mirë të merren dhe të bëjnë punën e tyre për të bërë hetimin deri në detaje si u mbërrit te kjo pikë. Dhe këtë s'mund t'ia kërkojë as medias, as opozitës, as konspiracioneve. Kjo është përgjegjësi drejtpërdrejt e qeverisë. Si mundet që të mbërrihet deri këtu? Pra si mundet, si mund t'i jepet një licencë, po një polici private, një kompanie që lind nga hiçi dhe që ka lidhje me një këngëtar i cili të ka bërë fushatën ty? Si? Nga erdhën? Kush janë këta njerëz? Kjo është një nga pikëpyetjet. Dhe pastaj shkojmë te të tjerat. Meqë ka filluar së paku hetimi për mënyrën se si është dhënë prona, media juaj mos gaboj ka nja 10 vjet që është marrë me këtë pronë. Për mënyrën se si është dhënë, se si ashtu e tjerë. Dhe në qoftë se do ta hapim këtë punë, mjafton të përmendim faktin që nga 2013-ta i kthehemi sa drejtorë të kësaj... të kadastrës së Vlorës janë ndryshuar.
-Shumë, po.
Ilir Kulla: Duket serioze kjo punë? Prandaj unë them që kjo pikë vlen për reflektim. Dhe në qoftë se pastaj këta njerëz që dalin në rrugë, nuk do t'i dëgjosh. Do t'i etiketosh publikisht sikur bëjnë lojën e këtij apo të atij e tjerë. Tani unë po të bëj një pyetje. Këta që kanë dalë deri tani në rrugë, i kemi parë, janë njerëz, qytetarë të mirë. Unë pashë dje ca njerëz që ishin pak më të mëdhenj në moshë sesa vajza ime dhe djali i kryeministrit që janë një moshë. Vajza 23, çuna 23. Ata s'janë të manipuluar nga askush. Ata janë populli i TikTok-ut. Po e ka llogaritur kryeministri ç'do të ndodhë në qoftë se nuk merret vesh me këta që kanë dalë, po do vijë ai populli i tortës së pavarësisë pastaj në protestë? Kujtohet torta e pavarësisë?
-Po, po, po.
Ilir Kulla: E kur të vijë ai populli i tortës së pavarësisë nga Laknasi, nga Kamza, nga Paskuqani, nga Mëzezi, pastaj ata s'i kthen dot më mbrapsht. As me policë as me ushtri. Kështu që bën mirë për mendimin tim që ai zotëria të ulet dhe të qetësohet një çikë dhe të reflektojë. Sepse dje mu rishfaqën ndërmend vitet e për të vjellë, pamjet e vitit 1990. Në një anë Partia e Punës ndante lëvdata për 45 vjet, suksese të mëdhaja e tjerë e tjerë, me shokun Ramiz e shokun Adil e tjerë, dhe në anën tjetër kishin dalë studentët në protestë në Shqipëri. Se kemi qenë këtu. Shumë mu shfaq dje. Partia Socialiste e mbyllur në një pallat të mbyllur që ndante ca certifikata, disa udhëzime të tjera dhe që duartrokisnin të gjithë, tashmë jo Partia e Mbretit po...
-Dhe 35 vjetori i partisë...
Ilir Kulla: Ok. Ndërkohë njerëzit ishin në shesh. Pas 35 vjetësh na përsëritet e njëjta gjë. Unë mendoj që është në dinjitetin e një shteti që po bëhet gati për të hyrë në Bashkimin Europian, në dinjitetin e një klase politike që ka qeverisur këta njerëz për 35 vjet, t'i dëgjojë dhe të reflektojë në raport me ça thonë në shesh. Se ata nuk janë as rrugaçë, si etikoheshin ata që iknin atëherë me anije, as banditë, po ata janë njerëz që s'kanë ça të humbin më, dhe e vetmja gjë që mund të humbin është rinia e vet, jeta e vet. Dhe ata nuk i kërcënon dot më, as me polici private se i doli frika. As me policinë e shtetit, as me banditë, me asgjë. Ata janë ata njerëzit që studiojnë, mbarojnë... familjet e tyre lodhen dhe pastaj nuk gjejnë dot punë dhe fillojnë punë në një call center. Këta janë. Janë ato vajzat që perspektivën e kanë o të ikin nga vendi ose të bëhen deri diku në qoftë se e kanë shansin, eskorta e luksit. Janë ata djem që duhet të studiojnë shumë, të punojnë kamerierë dhe pastaj të shkojnë te zyra e tatim-taksave të shohin ku ça vendi pune do t'i japi partia. Janë ata njerëz që nuk ndjekin as librat, as televizionet... .se e shohin që është një 82 vjeçar që flet për 20 vitet e ardhshme. Ça i përfaqëson ky këtyre? Ky është ai populli me të cilin duhet të dialogojë klasa politike dhe duhet t'i dëgjojë. Dhe unë them që duhet bërë sa më shpejt kjo punë, që mos të kalojmë në fazën tjetër që është faza që vjen populli i tortës së pavarësisë në protestë. Se pastaj kalojmë në kaos. Dhe unë e kam parë kaosin në Lindjen e Mesme çfarë prodhon. Dhe jam një nga ata njerëz që kam shumë arsye dhe interesa që mos të ndodhi kaosi. Sepse duam të vazhdojmë të jetojmë këtu. Këtu po rrisim fëmijët, këtu kemi punët. Po që mos shkojmë te kaosi, duhet të reflektojnë institucionet, shteti.
-Po reagimet e para të kryeministrit lidhur me këtë protestë gjatë këtyre ditëve, nuk ka qëndruar pa reaguar, por ka reaguar me bindje paralelisht që nuk tërhiqet. "Më keni votuar të punoj, e di unë, dhe jo ju që bërtisni nga sheshi". Mendon se do ta lexojnë ndryshe, do reflektojnë ndryshe?
Ilir Kulla: Ky është problemi, sepse ai nuk reflekton, përkundrazi, ai reflekton në arrogancë. Dhe është ajo arrogancë që i ka nxjerrë njerëzit në shesh. Shiko, ka një etimologji populli shqiptar në historinë e vet. Populli shqiptar e respekton mbretin. Pra problemi është që Edi Ramën njerëzit për shkak të autoritetit edhe mund ta respektojnë. Problemi është që ata që janë poshtë Edi Ramës dhe Edi Rama nuk ka ku ta dijë se është komplet i izoluar nga informacioni, ata janë më arrogantë se Edi Rama. Dhe Edi Rama duhet të kuptojë që në qoftë se ai polici i fundit atje zë zverkun, e merr zvarrë dhe e tërheq zvarrë duke e ditur që ka kamera përballë, nuk është bërë trim se është trim. Është bërë trim se ky sistem e ka prodhuar këtë trimëri. Kjo arrogancë. Edi Rama në vend që të jetë arrogant duhet të fillojë të shohë se çfarë nuk i funksionon nga poshtë. Në qoftë se fillon arroganca nga lart, këta poshtë janë shumë më të egër në arrogancën e tyre. Për këtë po thoja që reagimi duhet të jetë ndryshe. Edi Rama ka hyrë në politikë me protestat e '90-s. Tani të pyesim pak veten, investimet dhe paratë që vijnë duhet të shkojnë për të gjithë. Nuk mund të shkojnë paratë vetëm në 3 duar. Ne që jemi prindër e kuptojmë shumë mirë që fëmijëve nuk mund t'i shesësh më fjalë boshe. Duhet t'i japësh shpresë. Sigurisht që aty në shesh tashti do përzihet lloj lloj grupimi, do mundohet ta përdori politikisht PD-ja siç ndodhi me protestën e studentëve. Por kjo prapë nuk ndryshon gjërat. Nuk ndryshon imazhin real të Shqipërisë. Nuk ka vend tjetër që të bësh gjëra të tilla dhe mos të kesh sistem transparent.
-Mendon se e gjitha kjo do prodhojë diçka?
Ilir Kulla: Unë nuk e di se çfarë do prodhojë, po di që e gjithë kjo nuk ka për të shkuar bosh. Unë uroj që sa më shpejt institucionet e shtetit të fillojnë e të flasin me ata që janë në shesh. Po me fakte, me vepra.
-E kryeministri i ftoi, një përfaqësi prej tyre i ftoi...
Ilir Kulla: Po e ku i ftoi kryeministri? Ka ndërruar tre drejtorë spitali për nëntë muaj. Njërin e kishte mjek, e hoqi, e çoi te policia. Tjetrin e merr nga Kanadaja, e hoqi tashti dhe ka vënë një tjetër aty. O ky kryeministër ka 15 vjet që është kryeministër. Po flasim për spitalin më të madh në vend.
-Po pra prandaj thashë më herët që Zvërneci është simbolika sepse janë shumë kauza të tjera...
Ilir Kulla: Po pra, ky është problemi. Njerëzit çfarë duan? Njerëzit duan t'i funksionojë shteti. Këta nuk po i funksionojnë. Ka diçka që s'i funksionon. Pra, ata njerëz aty, nuk është se duan t'i thotë kush: mirë mo vazhdoni heshtni, sepse ju ka futur kjo apo ajo. Kjo është t'i agravosh. E di ti që asnjë nga ata nuk sheh më kanale televizive? Janë vetëm në rrjetet sociale. Pse? Sepse skemën politike ashtu e ka mbyllur Shqipëria. Rregullohemi me televizionet kombëtare, emisionet i kontrollojnë. Po ka dalë shejtani nga shishja dhe ky shejtani që ka dalë nga shishja quhet internet.
Lini një Përgjigje