TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Shkurt 2026, 15:19

Liqeni i Fierzës nën pushtimin e plehrave, banorët në alarm: Po na rrezikohet jetesa!

Shkruar nga Pamfleti

Liqeni i Fierzës nën pushtimin e plehrave, banorët në alarm:

Prej mesit të muajit janar, pas reshjeve të dendura që përfshinë qarkun e Kukësit, Liqeni i Fierzës është përballur me një rritje të ndjeshme të ndotjes. Sipërfaqja dhe brigjet e tij janë mbuluar nga sasi të mëdha mbeturinash, duke krijuar një situatë shqetësuese për komunitetin lokal.

Pamjet e ditëve të fundit tregojnë grumbullime të konsiderueshme mbetjesh, pavarësisht ndërhyrjeve të Bashkisë së Kukësit përmes anijes ekologjike që operon çdo ditë në liqen.

Sipas autoriteteve vendore, pastrimi kryhet rregullisht, por fluksi i mbetjeve mbetet i lartë, veçanërisht pas reshjeve intensive.

Banori i zonës, Agim Cengu, shprehet se fenomeni i ndotjes nuk është i ri. Sipas tij, situata është përkeqësuar këtë vit për shkak të reshjeve të shumta gjatë dy muajve të parë, të cilat kanë shtuar prurjet e lumenjve që derdhen në liqen, përfshirë edhe ato që vijnë nga territori i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ndotja ka vite që vazhdon. Anija pastron çdo ditë, por mbeturinat janë shumë të mëdha në sasi. Me reshjet e shumta të këtij viti, situata është përkeqësuar edhe më tepër”, thotë Cengu për "News 24".

Ai thekson se pastrimi i përditshëm nuk po arrin të zgjidhë problemin në mënyrë afatgjatë. “Sa pastrohen sot, nesër vijnë përsëri. Është një cikël që nuk po ndalet”, shton ai.

Sipas banorit, ndotja është shfaqur që prej krijimit të rezervuarit pas ndërtimit të HEC-it të Fierzës në fund të viteve ’70.

Ai e cilëson situatën si një problem serioz mjedisor, duke pretenduar se mes mbeturinave gjenden jo vetëm plastika, por edhe produkte farmaceutike dhe ushqime për bagëti të hedhura në mënyrë të pakontrolluar.

Ndikimi i ndotjes, sipas banorëve, po prek edhe jetesën e tyre. Në disa raste, bagëtitë që kullosin pranë brigjeve kanë konsumuar mbetje. Cengu tregon se një nga lopët e tij ka ngordhur, çka ai e lidh me ndotjen në zonë.

Banorët kërkojnë masa më të forta parandaluese dhe bashkëpunim ndërkufitar për menaxhimin e mbetjeve që përfundojnë në liqen, në mënyrë që kjo pasuri ujore të mos kthehet në një burim të përhershëm ndotjeje.

1 Komente

  1. R
    Rr gjeloshi

    Çdo popull duhet të tregoj kulturën e vet , kultura fillon nga përsoni familja detyrë e çdo ko.unitetit (po të mendojë secilli se unë po e hijell sot këtë mbetje nesër dotë më kushtojë negativisht ) atëherë nuk dota vujmë këtë shqetësim , mëndoj përsonalisht që të marrin secili dëtyren e vetë

    Lini një Përgjigje