TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Shkurt 2026, 12:23

Pasojat e përmbytjeve në Dimal, banorët: Dëme të mëdha, asnjë ndihmë nga shteti

Shkruar nga Pamfleti
Pasojat e përmbytjeve në Dimal, banorët: Dëme të
Pamje nga përmbytjet në Dimal

Fshati Çiflik, në bashkinë Dimal, është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet e njëpasnjëshme të ndodhura gjatë muajit dhjetor 2025 dhe në fillim të janarit 2026. Brenda kësaj periudhe, fshati u godit katër herë nga vërshimet e ujit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi.

Edhe pse ka kaluar rreth një muaj nga përmbytja e fundit, dhjetëra hektarë me sera, toka bujqësore dhe pemë frutore vijojnë të jenë nën ujë. Si pasojë, prodhimi i fermerëve është shkatërruar plotësisht.

Në serat që ende nuk janë tharë, niveli i ujit arriti deri në një metër, duke dëmtuar bimët që ndodheshin në fazën e vjeljes. Për shkak të lagështirës së lartë, mbjellja e fidanëve të rinj është aktualisht e pamundur, deri në tharjen e plotë të tokës. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në tokat e hapura bujqësore, ndërsa shumë pemë frutore vazhdojnë të qëndrojnë në ujë.

Fermerët deklarojnë se dëmet janë të mëdha dhe ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë familjare, e cila mbështetet kryesisht në prodhimin bujqësor. Sipas tyre, humbjet në kultura dhe pemëtari janë të konsiderueshme dhe kërkojnë mbështetje financiare nga autoritetet për të përballuar pasojat.

Banorët shprehen se, megjithëse dëmet janë verifikuar nga strukturat përkatëse, deri tani nuk kanë përfituar asnjë ndihmë financiare. Ata i bëjnë apel institucioneve shtetërore për dëmshpërblim, duke theksuar se rikuperimi i tokës dhe nisja e një cikli të ri prodhimi do të jetë e mundur vetëm pas 2–3 muajsh, kur toka të jetë tharë plotësisht.

banoret permbytje dimal deme te medha

Lini një Përgjigje