Tubacion 205 kilometra nga Tragjasi drejt Puljas, me kapacitet 150 milionë metër kub ujë në vit
Qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë po rihapin diskutimet për ndërtimin e një ujësjellësi që do të lidhë Tragjasin me rajonin e Puljas. Projekti synon të furnizojë me ujë zonat e Italisë jugore që përballen me kripëzim dhe mungesë burimesh.
Plani parashikon ndërtimin e një tubacioni me gjatësi totale 205 kilometra. Nga këto, 85 kilometra do të shtrihen nën det, ndërsa 120 kilometra në tokë. Tubacioni do të arrijë në një thellësi deri në 850 metra nën nivelin e detit dhe do të transportojë rreth 150 milionë metër kub ujë në vit drejt zonës së Galugnano-s në Salento.
Kostoja e projektit llogaritet rreth 1 miliard euro. Financimi pritet të mbulohet nga pala italiane dhe institucione financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve.
Sipas parashikimeve, punimet do të zgjasin rreth katër vite dhe do të hapin mbi 3 mijë vende pune në Shqipëri.
Ideja për këtë infrastrukturë nuk është e re. Autoritetet shqiptare dhe italiane e kanë diskutuar për herë të parë në vitet ’60, por izolimi i Shqipërisë e ndaloi zhvillimin e saj. Projekti u rikthye në vëmendje edhe gjatë qeverisjes së Fatos Nanos, pa arritur të sigurojë financim dhe mbështetje politike.
Diskutimet e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres Giorgia Meloni, gjatë vizitës së kësaj të fundit në Vlorë, e kanë rikthyer projektin në axhendën dypalëshe. Kryeministri Rama ka theksuar se realizimi i tij varet nga angazhimi i qeverisë italiane, duke pasur parasysh përmasat financiare dhe teknike të investimit.
Në këtë fazë, palët po shqyrtojnë mundësitë për ta çuar përpara projektin në kushtet e krizës së burimeve ujore në rajon.
Lini një Përgjigje