
Reshje dëbore me intensitet të lartë po bien në zonën e Qafë Thores, duke krijuar vështirësi të mundshme në qarkullimin rrugor.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), aktualisht në terren po punohet me dy borëpastruese njëkohësisht për të mbajtur rrugën të hapur dhe të kalueshme. Deri në këto momente, qarkullimi vijon pa probleme.
Megjithatë, bazuar në parashikimet e motit, reshjet pritet të vazhdojnë me intensitet gjatë gjithë natës, çka mund të sjellë vështirësi si në lëvizjen e mjeteve, ashtu edhe në punën e borëpastrueseve.
ARRSH bën të ditur se situata po monitorohet në vijimësi, ndërsa grupet e punës dhe mjetet janë në gatishmëri të plotë.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të pajisen me zinxhirë gjatë udhëtimit drejt këtij aksi dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave në terren.
Lini një Përgjigje