TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Mars 2026, 15:52

KLP tenton të lajë duart me skandalin seksual, ia “kalon topin” ILD-së; asnjë fjalë për Olger Eminajn!

Shkruar nga Pamfleti
KLP tenton të lajë duart me skandalin seksual, ia “kalon
Olger Eminaj

KLP nuk ka mbajtur asnjë qëndrim. Madje nuk ka thënë asnjë fjalë për “kokën” e këtij skandali Olger Eminajn.

KLP-së i është kërkuar të reagojë për skandalin seksual që ka përfshirë këtë institucion, pasi anëtari i saj Olger Eminaj, i ka dërguar një denoncueseje, foto të organit seksual dhe ka zhvilluar biseda me përmbajtje seksuale, gjatë orarit të punës dhe brenda ambienteve të institucionit ku ushtron detyrën.

Skandali u publikua mbrëmjen e djeshme nga emisioni investigativ “Stop”, ku janë zbardhur mesazhet teksa Eminaj i kërkon shtetases R.M. vjagra, lodra seksi, madje dhe përgojon kolegët.  

Lidhur me rastin, KLP nuk ka mbajtur asnjë qëndrim. Madje nuk ka thënë asnjë fjalë për “kokën” e këtij skandali Olger Eminajn. Në deklaratë tenton të lajë duart, duke “ia kaluar topin” ILD-së, ku sipas tyre masat disiplinore i marrin ata.

Në reagimin e KLP-së thuhet se “do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.”

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka ndjekur me shqetësim përmbajtjen e transmetuar gjatë emisionit investigativ “Stop”, ditën e hënë, datë 23.03.2026.

Në kuadër të transparencës institucionale, KLP informon se ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.

Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.

Në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës. Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike."-thuhet në deklaratën e plotë të KLP.

Ky rast nuk është thjesht një skandal i radhës por një provë serioze për vetë funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe për aftësinë e tyre për të reaguar ndaj abuzimeve brenda radhëve të tyre. 

klp olger eminaj

1 Komente

  1. T
    Tarrasi

    Epo...ua ka derguar edhe kaps-it "pastertine e figures" ai boti.

    Lini një Përgjigje