TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Maj 2026, 15:31

Kishin kthyer qelitë në "ambiente pushimi", aksion blic në burgjet e Fierit, Vlorës dhe Peqinit

Shkruar nga Pamfleti
Kishin kthyer qelitë në "ambiente pushimi", aksion blic

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar kontrolle të befasishme në tre institucione të vuajtjes së dënimit, ndërsa janë sekuestruar mjete komunikimi dhe sende të tjera të palejuara.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet u kryen nga forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve në Fier, Vlorë e Peqin, dhe kishin si fokus evidentimin dhe goditjen e sendeve të ndaluara brenda ambienteve të burgjeve.

Gjatë operacionit u konstatuan dhe u sekuestruan aksesorë mjetesh komunikimi që përbëjnë vepër penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara dhe të tepërta. Bie në sy dhe futja e disa kolltukëve që përdoren për ambiente jashtë banesave. 

Për rastet e evidentuara është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, i cili pritet të ndjekë procedurat e mëtejshme ligjore dhe administrative.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se mbetet e angazhuar për garantimin e rendit, sigurisë dhe zbatimit të ligjit në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit.

Sipas autoriteteve, kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të në vend, ndërsa theksohet se “toleranca ndaj shkeljeve është zero”.

burgje aksion

Lini një Përgjigje