
Shqipëria pritet të nisë diskutimet për kapitullin e parë të anëtarësimit në BE, atë për të drejtat themelore, në muajin tetor të këtij viti.
Lajmin e bëri të ditur eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi në Budapest, gjatë Konferencës Ndërparlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
“Shqipëria ka bërë reforma të thella, veçanërisht në drejtësi, ndërkohë që nuk ka kushte të tjera nga vendet anëtare të BE-së”, deklaroi ai.
Varhelyi theksoi se sa më shpejt t’i integrojmë plotësisht vendet e Ballkanit, aq më i fortë dhe më i qëndrueshëm do të jetë stabiliteti në kontinentin evropian
“Në këto vite kemi marrë vendime të rëndësishme për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke mbajtur me to konferencat e para ndërqeveritare. Shpresoj që muajin e ardhshëm të hapim kapitullin e parë të negociatave për çështjet bazë me Shqipërinë dhe ndoshta edhe me Maqedoninë e Veriut, në varësi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese”, përfundoi Varhelyi.
Lini një Përgjigje