
Avokati Arben Llangozi e ka quajtur tepër problematike situatën e krijuar në administratën gjyqësore prej mungesës së theksuar të gjyqtarëve si në gjykatën e Apelit të Posaçëm dhe në Apelin Administrativ.
Në një intervistë televizive, Llangozi deklaroi se në Apelin Administrativ ka selektim dosjesh me preferencë, duke thënë se ky veprim jo vetëm që bie ndesh me ligjin, por lë çështje të tjera të pagjykuara. Avokati theksoi se ka një mos funksionim pothuajse të gjithë sistemit gjyqësor në të gjithë Shqipërinë.
Sipas tij, çështjet civile po zvarriten prej një periudhe prej shtatë vitesh dhe nuk gjykohen dhe kjo vjen prej numrit të vogël të gjyqtarëve. Llangozi thekson se nëse nuk plotësohet numri i gjyqtarëve në Apel situata do të përkeqësohet.
“Kemi mangësi gjyqtarësh dhe një çështje që e gjykonim për rreth një muaj dhe kur kalonte një muaj më tepër nga afati, konsiderohej shkelje e rëndë, madje KLD merrte dhe masa.
Aktualisht në Gjykatën e Tiranës, një çështje gjykohet një herë në shtatë muaj apo në vit. Kjo nuk vjen për faj të gjyqtarëve, po prej selektimit dhe mungesës së gjyqtarëve. Por edhe faktet që janë marrë me vetingun e tyre, ka çuar në zvarritjesh. Kemi një mori shkeljesh për faktin se mungojnë gjyqtar. Në Gjykatën e Juridiksionit të përgjithshëm të Apelit janë 25 gjyqtarë nga 78 që duhet të jenë në total. Jo se nuk ka gjyqtarë për zëvendësim, por se ato janë ruajtur për anëtarët e vetingut, të cilët duhet të trajtohen me status si gjyqtar Apeli, kjo është shkaku pse gjykata e Apelit nuk është kompletuar.
Ata i kërkojnë KLGJ-së me shkesë që të kenë statusin e gjyqtarit të Apelit. Nëse do vijnë anëtarët e vetingut dhje do bëjnë punën e gjyqtarit të Apelit, kjo jo vetëm përbën shkelje se qytetarët presin në radhë për tu gjykuar, por nuk mund të marrin statusin e gjyqtarit të Apelit, pasi asnjë nga anëtarët e vetingut nuk kanë mbaruar shkollën e Magjistraturës.
Gjyqtarët që janë në Apel, për mendimin tim është korrekt, problem është numri i tyre. Çështjet civile po zvarriten prej një periudhe prej shtatë vitesh dhe nuk gjykohen dhe kjo vjen prej numrit të vogël të gjyqtarëve.
Apeli po mbahet me qëllim që të vijnë këta anëtar. Zvarritjet më të mëdha janë te dosjet civile se gjykata i ka dhënë më përparësi dosjeve penale. Çfarë janë masa sigurimi, zëvendësim masash sigurimi, revokim masash dhe heqje masash sigurimi, nuk janë gjykuar me urdhër të brendshëm.
Është krijuar një praktikë shumë e rrezikshme nga gjykata. Në gjykatat e tjera pak nga pak po plotësohet vakumi i krijuar, por problematike mbetet gjykata e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm. Kyçi për funksionimin duhet të jetë ajo gjykatë Apeli e plotësuar me gjyqtarë. Ka shumë gjyqtarë me nivel dhe profesional që mund të plotësojnë vendet, por nuk po hapen vendet vakante. Ky problem mund të zgjidhet vetëm pas dy tre vitesh, kur të ketë përfunduar reforma në drejtësi”, tha Llangozi për MCNTv.
Lini një Përgjigje